Ademi: Fusha në ‘Fadil Vokrri’, gati për ndeshjen me Qipron
Prishtinë, 8 tetor – Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka bërë të ditur se fusha në stadiumin “Fadil Vokrri” është e gatshme për ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve ndërmjet Kosovës dhe Qipros. Stadiumi ishte mbyllur pasi kishte nevojë për rikuperim të barit pasi ishte dëmtuar nga ndeshjet e muajit shtator. “Sot vizitova fushën e stadiumit ‘Fadil Vokrri’ së bashku me ekspertin e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së fushës. Tani ajo është në gjendje të mirë dhe mund të jemi të qetë për ndeshjet e radhës të U21, Kosova-Polonia, që luhet të premten dhe për ndeshjen e Ligës së Kombeve, Kosova-Qipro, që zhvillohet javën e ardhshme. Pas këtyre ndeshjeve, fusha do të kalojë në rikuperim që të jetë gati për sfidat e ardhshme”, ka thënë Ademi.