Ademi: Kemi lënë gjurmë të pashlyeshme në eliminatore
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se Përfaqësuesja e Kosovës bëri paraqitje të mira dhe regjistroi rezultate pozitive në eliminatoret për Kampionatin Evropian.
“E përmbyllëm një tjetër cikël të garave duke lënë gjurmë të pashlyeshme. Progresi ynë po vlerësohet nga të gjithë. Pas suksesit në Ligën e Kombeve, ne bëmë paraqitje mahnitëse edhe në ciklin kualifikues për Euro 2020, duke bërë krenar tërë kombin dhe duke e lartësuar shtetin kudo ku jemi paraqitur”, ka thënë Ademi.
Mesazhi i plotë i kryetarit të FFK-së, Agim Ademi pa ndërhyrje
E përmbyllëm një tjetër cikël të garave duke lënë gjurmë të pashlyeshme. Progresi ynë po vlerësohet nga të gjithë. Pas suksesit në Ligën e Kombeve, ne bëmë paraqitje mahnitëse edhe në ciklin kualifikues për Euro 2020, duke bërë krenar tërë kombin dhe duke e lartësuar shtetin kudo ku jemi paraqitur. Madje, ishim në rrugë të mirë që ta bëjmë ëndrrën realitet për kualifikim, ngase deri në xhiron e parafundit ishim në garë për dy pozitat që siguronin biletën për Evropian. Por, lëndimet e shumta që na përcollën gjatë kësaj fushate, e mbase edhe mungesa e përvojës na e vështirësuan tej mase misionin që ia kishim vënë vetes. Dëshpërimi i futbollistëve tanë pas humbjes në Çeki ishte i madh, por të gjithë u ofruam mbështetje për ta ngritur kokën lart dhe për t’u ndjerë krenarë me atë çfarë kanë treguar dhe për emocionet e dhuruara në këto eliminatore. Si një Kombëtare e re, nuk është pak të arkëtosh 11 pikë në një grup me kombëtare me shumë traditë dhe shumë cilësi.
Në fund të këtij cikli kualifikues, dua që t’i falënderoj përzemërsisht futbollistët, përzgjedhësin Challandes me stafin e tij, ekipin mjekësor, ekipin organizativ të ndeshjeve, administratën e FFK-së dhe Komitetin Ekzekutiv për një punë të shkëlqyeshme. Një falënderim i veçantë i takon edhe tifozëve “Dardanët” për spektakël në çdo ndeshje të kësaj gare dhe gjithë popullit për përkrahjen dhe kulturën e lartë sportive. Po ashtu, u jam mirënjohës edhe medieve për mobilizim dhe mbështetje reale të kombëtares.
Tani i gjithë përqendrimi ynë bartet te “play-off”-i Ligës së Kombeve, aty, ku e kemi mundësinë tjetër për ta jetësuar ëndrrën. Uroj që futbollistët tanë gjatë kësaj periudhe të kenë shëndet dhe formë të mirë dhe në muajin mars të jemi të kompletuar për ndeshjen gjysmëfinale kundër Maqedonisë së Veriut. Kam besim të plotë se ky angazhim dhe entuziazëm në fund do të na shpërblehet me kualifikim në Evropian.
Vazhdojmë të bashkuar, me krenari e përgjegjësi!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së