Ademi kërkon përshpejtimin e procedurave për pajisjen e futbollistëve me pasaporta
Pas përmbylljes së procesit të marrjes së nënshtetësisë dhe pasaportës së Kosovës nga ana e futbollistit Florent Muslija, i cili iu bashkua ekipit të sukseseve, kryetari Agim Ademi dhe Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, duke i parë vështirësitë procedurale të pajisjes me pasaportë të futbollistëve kanë kërkuar nga institucionet shtetërore kompetente – Presidenca, që ta zgjedhin rrugën dhe kohën më të shpejtë të mundshme për të dekretuar dhe për të pajisur me pasaportë sportistët në përgjithësi, sepse procedura e tanishme dhe kërkesa e dokumentacioneve të shumta bënë që sportistët të kenë probleme të natyrave të ndryshme, sidomos në shtetet evropiane ku ata jetojnë e veprojnë.
“Kërkojmë që për sportistët tanë të përdoret procedurë e veçantë, e cila do ta mundësonte dekretimin dhe pajisjen e tyre me nënshtetësi dhe pasaportë në afatin më të shpejtë të mundshëm. Ky veprim do ta mundësonte kompletimin e ekipeve tona sportive dhe do ta realizonte më shpejt dëshirën e madhe të bashkatdhetarëve tanë që nëpërmjet sportit ta japin kontributin për atdheun e tyre – Kosovën. Besojmë se kjo kërkesë e jona do të hasë në mirëkuptimin e plotë të institucioneve shtetërore dhe në të ardhmen sportistët tanë nuk do të hasin telashe të tilla procedurale për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës, ngaqë edhe koha e tyre për t’u marrë me çështje të tilla është e limituar, duke pasur parasysh faktin se janë pjesë të klubeve të mëdha evropiane”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
/Epoka e re/