
Ademi: Krenarë që kthehemi në turneun final, do të japim maksimumin
Egzon Ademi është prej lojtarëve më të rëndësishëm të Vushtrrisë.
Vushtrria të shtunën prej orës 16:00 përballet me Besa Famgasin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës në hendboll. Dhe Ademi e di se sa e rëndësishme është paraqitja në “Final 4” të Kupës.
Ai thotë se te Vushtrria janë të vetëdijshëm për forcën e Besës, por se janë të vendosur për të dhënë më të mirën në kërkim të suksesit.
“Klubi ynë rikthehet pas shumë vjetësh në mesin e katër skuadrave më të mira në garën për Kupë të Kosovës. Kjo është një e arritur e madhe për ne dhe për gjithë qytetin. Është po ashtu një mundësi e artë për të treguar punën dhe përkushtimin që kishim gjatë gjithë këtij edicioni garues. Jemi të përgatitur që në këtë ndeshje të japim maksimumin në fushën e lojës, edhe pse jemi të vetëdijshëm që kundërshtari ynë është prej ekipeve më të mira në Kosovë dhe atë për kohë shumë të gjatë. Nuk do të dorëzohemi dhe do të tregojmë vlerat tona, ndonëse e dimë që na pret një ndeshje e fortë”, ka thënë Egzon Ademi.