Ademi kujton Vokrrin: I përjetshëm kujtimi për ty legjendë!

09 qershor 2020 | 11:31

Kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e ka kujtuar presidentin historik të FFK-së, Fadil Vokrrin në dy vjetorin e vdekjes.

Ademi e ka vlerësuar lartë kontributin e legjendës së futbollit shqiptar, Fadil Vokrri në të gjitha periudhat. “Ike nga kjo botë për të shkuar në përjetësi si legjendë. Kontributi yt tashmë është i shkruar me shkronja të arta në histori”, ka thënë Ademi.

Letra e plotë e Agim Ademit:

Sot me nderim dhe pietet të kujtojmë̈ ty presidenti ynë emblematik, bashkëpunëtori e miku ynë i madh, Fadil Vokrri. Pa dyshim e kam të vështirë t’i shkruaj këta rreshta për ty sepse e di që rrugës më tradhtojnë emocionet, ashtu siç në gjysmë na u ndanë rrugët për të na mbetur vetëm kujtime të paharrueshme.

Mëngjesi i 9 qershorit 2018 ishte tronditës për të gjithë ne. Kosova mbeti pa ty legjendë, që tërë jetën ia kushtove futbollit dhe punove pareshtur për zhvillimin dhe progresin e tij. Sapo kishte kaluar ora 9:00 e atij mëngjesi të kobshëm kur zemra të tradhtojë. Të mori pikërisht numri që të simbolizonte.

Infarkti në zemër i atij mëngjesi ishte i pamëshirshëm për ty. Përpjekja e atyre që të qëlluan afër në ato momente kritike për të të ofruar ndihmë dhe më pas edhe e mjekëve fatkeqësisht rezultoi e pasuksesshme. Lutjet tona gjithandej që ta kaloje edhe këtë sfidë nuk u dëgjuan. Jo, sepse perëndia vendosi të të marrë afër vetes, sepse ishe njeri bujar e me zemër të madhe, e që i dhe shumë futbollit dhe shtetit tonë.

Ike nga kjo botë për të shkuar në përjetësi si legjendë. Kontributi yt tashmë është i shkruar me shkronja të arta në histori.
Që nga periudha e sakrificës ishim të rreshtuar në misionin e përbashkët për ta bërë realitet ëndrrën e shumë gjeneratave. E këtë e arritëm falë punës, vizionit dhe këmbëngulësisë tënde, por edhe të atyre që me dekada luajtën, punuan dhe kontribuuan për ecurinë dhe progresin e futbollit të Kosovës.

Tani, ne, bashkëpunëtorët tu po punojmë për ta realizuar objektivin që ia kemi vënë vetes – kualifikimin në Evropian, pasi kjo ishte edhe dëshira jote e radhës, pas finalizimit të procesit të vështirë të anëtarësimit në UEFA e në FIFA.
Gjatë kësaj periudhe finalizuam shumë projekte, arritëm rezultate për mbamendje me ekipet kombëtare, duke u bërë storie suksesi, e përmirësuam infrastrukturën e stadiumeve, e rritëm cilësinë dhe konkurrencën në kampionatin vendor, vazhduam me shkollimin e kuadrove të reja të gjyqtarëve e trajnerëve, si dhe i ofruam përkrahjen e nevojshme talenteve të reja.
Prandaj, jemi të bindur se futbolli i Kosovës po marshon i sigurt dhe bindshëm drejt rritjes e sukseseve, që do të vazhdojnë ta bëjnë krenar popullin dhe shtetin tonë, si dhe do të lënë gjurmë në histori, pikërisht ashtu siç dëshirove ti i paharruari ynë, Fadil Vokrri.
I përjetshëm kujtimi për ty, legjendë!
Gjithmonë do të mbetesh motivi më i madh i lojtarëve tanë, të cilët çdo sukses të Kombëtares e lidhin me emrin tënd, teksa “Dardanët” në çdo ndeshje thërrasin me mburrje e krenari në minutën e 9-të në stadiumin, që është bërë ankth për çdo kundërshtar në fushë, Fadil Vokrri!
Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi…

(Veton ZYMBERI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe ata të Senatit, kanë…