Ademi nderoi doajenët e gazetarisë sportive
Federata e Futbollit e Kosovës, përkatësisht kryetari Agim Ademi, e ka vazhduar tashmë traditën që në çdo fundviti të organizohet pritja për gazetarët sportivë.
Ky manifestim sivjet është mbajtur në hotel “International Prishtina”, ku Ademi përveç se i ka falënderuar gazetarët sportiv dhe mediat në përgjithësi për bashkëpunimin dhe pasqyrimin korrekt të ngjarjeve në futboll i ka nderuar me nga një shpërblim të veçantë doajenët e gazetarisë: Agim Kasapolli, Azem Brovina, Xhavit Kajtazi, Gani Kosumi dhe Blerim Vuniqi. Po ashtu nga një dhuratë modeste u është dhënë të gjithë gazetarëve të pranishëm.
“Ne si FFK e kemi vazhduar traditën e nisur nga presidenti Fadil Vokrri dhe ju kemi ftuar në këtë koktej, për vet faktin se ju konsiderojmë si pjesë tonën, pasi me punën e juaj i pasqyroni rezultatet tona. Unë ju falënderoj shumë sepse sivjet gazetarët kanë qenë afër FFK-së. Nga humbja e madhe që e kemi pas me vdekjen e presidentin Vokrri faktikisht është dashur rimkëmbja jonë dhe ndihma e të gjithëve dhe ju këtë e keni bërë, andaj ju falënderoj juve si gazetarë e media, por edhe institucionet tona dhe të gjithë ata që merren apo janë përrreth futbollit. Edhe atëherë kur kemi pasur ndonjë gabim, pasi gabimet janë të mundshme, ju ato i keni trajtuar me kujdes. Unë ju uroj për një vit të mbarë dhe ju premtoj se në vitet e ardhshme FFK-ja do të mundohet t’iu sigurojë kushtet sa më komode për t’i përcjellur ngjarjet e futbollit. Çdo fond që do të marrim për përmirësimin e infrastrukturës do të kemi prioritet kushtet e volitshme për ju. Shpresoj që edhe edhe vitin e ardhshëm të jemi bashkërisht dhe t’i gëzohemi së bashku rezultateve të mira. Po ashtu sonte kam vendosur që t’i nderojë disa nga kolegë tuaj, të cilët kanë dhënë shumë për gazetarinë dhe sportin”, ka theksuar ndër të tjera Agim Ademi, teksa më pas i ka dorëzuar dhuratat për gazetarët me shumë vite përvojë mbi supet e tyre.
Nga ana e tyre, Agim Kasapolli, Xhavit Kajtazi, Gani Kosumi e Blerim Vuniqi e falënderuan përzemërsisht presidentin Ademi dhe FFK-në për kujdesin e treguar dhe për nderimin që u është bërë, duke shprehur shpresën se edhe në të ardhmen gazetaria sportive do të kontribuojë për ngritjen e futbollit dhe masivizimin e tij.