Ademi në Podujevë: Ishte mbrëmje emocionuese, kënaqësi të shihja gjithë ata dashamirë të futbollit
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka qenë mysafirë në turneun e verës të mbajtur në sheshin “Ali Ajeti”.
Turneu kishte një pjesëmarrje masive të tifozëve duke e bërë mbrëmjen spktakolare, derisa numri një i futbollit, Agim Ademi, ka thënë se kjo ngjarje e veçantë është zhvilluar edhe falë mbështetjes së FFK-së, në kuadër të programit për zhvillimin e futbollit spontan apo futbollit të rrugës.
“Në një mbrëmje emocionuese isha pjesë e ndeshjeve finale të turneut të verës kushtuar diasporës, i organizuar në sheshin ‘Ali Ajeti’ në qytetin e Podujevës. Kjo ngjarje e veçantë u zhvillua edhe falë mbështetjes së FFK-së, në kuadër të programit për zhvillimin e futbollit spontan apo futbollit të rrugës. Bashkë me kryetarin e kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, ndoqëm me kujdes dhe kureshtje këtë spektakël futbolli, e ku shumë të rinj shfaqën talentin dhe pasionin e tyre ndaj lojës më të popullarizuar në botë. FFK-ja do të vazhdojë t’i përkrahë aktivitetet e tilla dhe promovimin e futbollit dhe mundësive që ai i ofron për zhvillimin e të rinjve”, ka shkruar Ademi në “Facebook”.