Ademi: Një person mund t’i blejë vetëm dy bileta për ndeshjen ndaj Anglisë
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur në lidhje me shitjen e biletave për ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës.
“Dardanët” po zhvillojnë ndeshje të mëdha që nga emërimi i Bernard Challandesit trajner. Forma e lartë e fitoreve dhe loja e mirë kanë bërë që tifozët të kenë shumë kërkesa dhe interesim për ta shikuar nga afër Kosovën. Megjithatë, shitja e biletave po bëhet në mënyrë shumë të shpejtë dhe shumë tifozë nuk po kanë mundësi t’i shikojnë “Dardanët”.
Ademi për “Telegrafi”-n ka folur për këtë dukuri dhe ka treguar që nga ndeshja me Anglinë do të ketë ndryshime në blerjen e biletave. “Në ndeshjen ndaj Anglisë një person mund t’i blejë vetëm dy bileta dhe jo tri si më parë. Arsyeja është që duam t’ua japim mundësinë sa më shumë tifozëve që ta shohin Kosovën”, ka thënë Ademi, i cili ka folur edhe për fillimin e mbledhjes së informacioneve në terren nga Prokuroria për shitjen e biletave. “Federata është e hapur për çfarëdo lloj ndihme që mund t’i japë prokurorisë në lidhje me dyshimet rreth shitjes së biletave. Ata i kanë numrat tanë të federatës dhe mund të na kontaktojnë për çfarëdo informate”, ka shtuar Ademi.