Ademi para shortit të Ligës së Kombeve: Duam ta fitojmë grupin dhe Ligën C
Përfaqësuesja e Kosovës do t’i mësojë nesër mbrëma emrat e kundërshtarëve të Ligës së Kombeve.
E një ditë para shortit, i cili do të hidhet në Paris, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka folur për pritshmëritë që i ka ai për edicionin 2024/25 të Ligës së Kombeve.
Kreu i futbollit kosovar shpreson në një short të favorshëm, ndërsa u shpreh optimist për sukses në grup dhe në Ligën C, ku gjendet Kosova.
“Shorti do të hidhet nesër dhe presim të kemi një short të favorshëm. Gjithsesi do të jetë mjaftë interesant të shohim se me kë do të luajmë, por duke i respektuar të gjithë kundërshtarët nuk ia kemi frikën asnjërës”, theksoi Ademi për Telegrafin.
“Kemi potencial të madh brenda skuadrës. Kemi lojtarë që po luajnë në ligat kryesore në Evropë dhe madje janë futbollistët kryesorë në klubet e tyre. Unë pres që ta fitojmë grupin ku ndodhemi pa marrë parasysh kundërshtarët, por duam ta fitojmë edhe Ligën C”, vazhdoi ai.
Kosova bën pjesë në vazon e dytë të Ligës C së bashku me Azerbajxhanin, Bullgarinë dhe Ishujt Faroe.
Në vazon A gjenden Rumania, Suedia, Armenia dhe Luksemburgu.
Ndërkohë në vazon e tretë kanë përfunduar Maqedonia e Veriut, Sllovakia, Irlanda e Veriut dhe Qipro.
E në vazon e katërt janë Bjellorusia, Lituania ose Gjibraltari, Estonia dhe Letonia.
“Dardanët” e patën një kampanjë kualifikuese dëshpëruese për Euro 2024, ndërsa do ta kërkojnë këndelljen në miqësoret e marsit e qershorit dhe më pas në Ligën e Kombeve në muajt shtator, tetor e nëntor.