Ademi shpalos planprogramin për një mandat tjetër në krye të FFK-së

26 mars 2022 | 14:45

Kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, e ka prezantuar planprogramin e tij përmes së cilit synon ta marrë edhe një mandat katërvjeçar, pa asnjë kundërkandidat, në Kuvendin që e ka thirrur ai me Komitetin Ekzekutiv për datën 6 prill.

Edhe pse “opozita e tij” e konsideron këtë Kuvend të jashtëligjshëm dhe jostatutor, për çka edhe Departamenti i Sportit i MKRS-së përmes një opinioni ligjor ka thënë se ky Kuvend është thirrur në kundërshtim me Ligjin e Sportit dhe Statutin e FFK-së, Ademi insiston se gjithçka është në rregull, dhe ka vendosur që me një planprogram të prezantuar sot, ta kërkojë besimin e delegatëve edhe për një mandat tjetër katërvjeçar.

Ademi fillimisht foli për mandatin e tij të deritanishëm, ku përmendi me theks të veçantë rritjen e buxhetit të FFK-së, instalimin e sistemit VAR, investimet infrastrukturore, katapultat GPS e përkrahjen për Kombëtaren e Kosovës.

Ademi pastaj shpalosi planprogramin për mandatin e ardhshëm, të cilët e quajti “Bashkë për futbollin”.

Kryetari i FFK-së bëri të ditur se me Komitetin Ekzekutiv kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit që në të gjitha shkollat të shtojnë një orë më shumë të lëndës së Edukatës Fizike, e cila do t’i kushtohej vetëm futbollit.

Ademi premtoi edhe rritjen e kapacitetit në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku tha se mjetet janë të gatshme për këtë investim. Plani i tij është që të shtohen edhe 8 mijë ulëse. I pari i FFK-së në mandatin e dytë tha se synon edhe kompletimin e Kampit Nacional në Hajvali.

Tutje, Ademi premtoi pajisjen e të gjitha stadiumeve në Kosovë me reflektorë.

“Kemi planifikuar dhe kemi bërë kërkesën në UEFA, e cila është miratuar. Kampionati i Superligës do të kthehet nën drita të reflektorëve”, tha ai gjatë shpalosjes së planprogramit.

Agim Ademi foli edhe për sigurimin shëndetësor të futbollistëve.

“Jemi në bisedime me kompani. Do ta kemi më të lehtë për futbollistë dhe për klube. Krahas saj do të kemi edhe një qendër rehabilituese për futbollistët që kanë nevojë. Kjo do të bëhet në objektet e FFK-së.

Kryetari i shtëpisë së futbollit kosovar foli edhe për objektivat e Kombëtares, ku tha se objektivi kryesor është kualifikimi.

“Besoj në futbollistë, besoj në shtabin teknik dhe shpresoj që Kosovën do ta kualifikojmë. Pse jo edhe ekipet U21, U19, U17 dhe vajzat”.

Ademi gjithashtu premtoi funksionalizimin e ligës për grupmoshat U21, aktivizimin e futbollit të vogël “5×5”, krijimin e akademisë dhe të një muzeu të FFK-së.

Agim Ademi është kandidati i vetëm i certifikuar nga FFK-ja, e cila e kishte refuzuar kandidimin e Gramoz Vokrrit, të cilit iu njohën 13 nënshkrime dhe iu refuzuan 5 të tjerë, si të parregullt. Kurse, Ademit i janë pranuar 43 nënshkrime dhe i është anuluar një.

Edhe kjo pjesë e këtij procesi ka ngjallur shumë reagime. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) kishte bërë thirrje të organizohet një Kuvend Zgjedhor demokratik përmes një gare të hapur dhe të mos pengohen kandidaturat tjera të mundshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria sot do të jetë mysafire e Spanjës për miqësoren…