Ademi takohet me Çeferin dhe Infantinon, delegacioni i FIFA-s do të vizitojë Kosovën
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi mori pjesë në Kongresin e 48 të UEFA-s në Paris si dhe në 70-vjetorin e themelimit të saj. Numri një i federatës kosovare të futbollit, ka zhvilluar takime me presidentin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin dhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.
Presidenti i FFK-së e informoi presidentin e UEFA-s rreth zhvillimeve në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe për projektet që janë në zhvillim e sipër dhe ato që pritet të realizohen. Pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte projekti për stadiumin “Fadil Vokrri”, ku do të bëhet ndërrimi i fushës në hibrid, në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrëveshja mes dy institucioneve do të nënshkruhet së shpejti dhe më pas të fillojnë punimet në këtë projekt, në mënyrë që stadiumi të jetë i gatshëm për ndeshjet zyrtare të Përfaqësueses së Kosovës.
“Në takimin me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, presidenti Ademi ka prezantuar projektet e FFK-së që janë nën mbikëqyrjen e FIFA-s, e ku brenda pak ditëve një delegacion i FIFA-s pritet të vizitojë Kosovën për të parë nga afër zhvillimin e projekteve dhe të futbollit në vendin tonë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FFK-së.
Gjatë Kongresit të UEFA-s, presidenti Ademi ka zhvilluar një takim miqësor edhe me presidentin e Federatës Turke të Futbollit, Mehmet Buyukeksi dhe delegacionin e kësaj federate. Në këtë takim, i pari i FFK-së ka shprehur dëshirën për një bashkëpunim edhe më të ngushtë ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Federatës Turke të Futbollit në të gjitha drejtimet. Në punimet e Kongresit të UEFA-s u miratuan ndryshimet në statutin e UEFA-s, raporti financiar, si dhe u caktuan anëtarët e Shoqatës së Klubeve Evropiane dhe Shoqatës së Ligave Evropiane, të cilët do të shërbejnë në Bordin e Drejtorëve të UEFA-s.