Ademi takohet me drejtorin e ri të ‘Sigal Uniqa’, bisedojnë rreth bashkëpunimit
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka pritur të premten në takim drejtorin e ri të kompanisë së sigurimeve “Sigal Uniqa”, Përparim Drini.
Takimi është zhvilluar për të diskutuar rreth bashkëpunimit të dy institucioneve dhe për të vlerësuar punën e deritanishme.
Drejtori i “Sigal Uniqa”, Përparim Drini, në takim ka shprehur kënaqësinë e tij për punën e mirë të të dy institucioneve në vitet paraprake dhe ka ofruar gatishmërinë dhe përkushtimin maksimal të kompanisë së tij për të vazhduar si partner besnik i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Më tutje, ai është shprehur i gatshëm të ndërmarrë hapa për të forcuar bashkëpunimin dhe për të ndihmuar në zhvillimin e futbollit në Kosovë.
Ndërsa kryetari i FFK-së, Agim Ademi, e ka falënderuar drejtorin Drini për vizitën dhe për frymën pozitive të bashkëpunimit dhe i shprehu urime për detyrën e re.
Po ashtu, Ademi ka shprehur bindjen se partneriteti midis FFK-së dhe “Sigal Uniqa” do të vazhdojë të rritet dhe të forcohet në të ardhmen.
“Sigal Uniqa” është një nga partnerët shumëvjeçar të FFK-së dhe ka kontribuar në zhvillimin e futbollit në Kosovë në mënyra të ndryshme. Në bashkëpunim me këtë kompani, FFK-ja ka realizuar projekte të suksesshme, siç është edhe sigurimi shëndetësor i futbollistëve dhe futbollisteve të Superligës, Ligës së Parë dhe Ligës së Dytë.