Ademi takohet me drejtuesit e lartë të FIFA-s

09 shkurt 2022 | 16:48

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, është takuar me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të FIFA-s, Alasdair Bell, dhe presidentin Gianni Infantino. Ademi falënderoi drejtuesit e FIFA-s për përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë futbollit të Kosovës.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është takuar me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të FIFA-s, Alasdair Bell, i cili është edhe shef për çështje ligjore në FIFA. Siç dihet, Bell në kohën e pranimit të Kosovës ishte zyrtar ligjor në Konfederatën Evropiane të Futbollit, UEFA dhe e kishte mbrojtur fuqishëm çështjen e pranimit të FFK-së në UEFA më 3 maj në Kongresin e Budapestit, kur FFK-ja ishte pranuar në UEFA, raporton “Epoka e re”.

“Presidenti Ademi e falënderoi edhe një herë Bellin për avokimin e tij për pranimin e FFK-së në UEFA si dhe për gjithë bashkëpunimin në vitet e mëtutjeshme. Në anën tjetër, Belli e uroi presidentin Ademi për punën në krye të FFK-së dhe tha se progresi që ka bërë Federata e Futbollit e Kosovës në vitet pas pranimit ka dëshmuar që kauza të cilën ai e ka mbrojtur në Budapest ka qenë e drejtë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Shtëpia e futbollit e Kosovës ka njoftuar, po ashtu, se kryetari Ademi gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara Arabe ka bashkëbiseduar edhe me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino. Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e futbollit të Kosovës dhe projektet e realizuara nga FFK-ja. Presidenti Ademi e falënderoi kreun e FIFA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe simpatinë që ka treguar ndaj futbollit të Kosovës.

Ata së bashku ndoqën ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Botës për klube ndërmjet Palmeirasit dhe Al Ahly. Në fakt, Infantino që nga koha kur Kosova u pranua në FIFA ka pasur një relacion shumë të mirë dhe të afërt me FFK-në dhe me presidentin Ademi, gjë të cilën e dëshmon edhe përkrahja e tij e vazhdueshme dhe respekti ndaj tij, pasi nuk ka asnjë ngjarje të cilin e organizon FIFA, në të cilin nuk ftohet kreu i FFK-së nga presidenti Infantino.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
10.02.2022 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Peja 1.…