Ademi takoi përzgjedhësin Challandes, kjo është arsyeja  

09 prill 2021 | 16:04

Me ftesë të kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi për vizitë në Kosovë po qëndron përzgjedhësi i Përfaqësues, Bernard Challandes. Kryetari Ademi ka diskutuar me përzgjedhësin për nevojën e koordinimit sa më të mirë në ekipin përfaqësues.

Ai theksoi se është i vetëdijshëm se ka kohë që ekipi përfaqësues nuk ka qenë i kompletuar dhe se në dy ndeshjet e para të ciklit të ri kualifikues luajtëm me dy kombëtare të forta, por se tanimë duhet gjetur mundësi e hapësira për t’u kthyer forma e rezultateve dhe për t’u zëvendësuar secili lojtar që mungon.

Ademi theksoi se për të, për KE-në dhe opinionin në tërësi, ekipi kombëtar është i shenjtë, prandaj duhet që të gjithë ta japin maksimumin për ta kthyer formën dhe rezultatet pozitive, me të cilat ishte krenar i gjithë populli ynë.

“FFK-ja edhe në të ardhmen do t’ia krijojë të gjitha kushtet e nevojshme ekipit përfaqësues, por duhet përkushtimi i futbollistëve, trajnerëve dhe i gjithë stafit të jetë maksimal, ngase përfaqësimi i vendit është diçka e shenjtë”, ka thënë Ademi, i cili është shumë i interesuar që Përfaqësuesja t’u rikthehet rezultateve pozitive, ngase e di se ka potencial brenda saj.

Ata bashkëbiseduan edhe për ndeshjet e ardhshme miqësore në qershor dhe ato të radhës kualifikuese, duke u zotuar se do të bëjnë më të mirën e mundshme, teksa ishin në një zë në faktin se në futboll janë rezultatet ato që vlerësojnë punën e gjithsecilit.

Nga ana e tij përzgjedhësi Challandes premtoi se do të vazhdojë të punojë me përkushtim dhe do të mundohet të bëjë më të mirën për Kosovën.

Kryetari Ademi po ashtu ka diskutuar edhe me përgjegjësin e Përfaqësues nga KE, Bakir Burri, drejtorin e Përfaqësues, Muharrem Sahiti dhe menaxherin Bajram Shala, me ç’rast kërkoi rregullsi dhe përkushtim nga secili pjesëtar i ekipit.

Ai theksoi se të gjithë do ta kenë përkrahjen e tij dhe të KE-së, përfshirë futbollistët, trajnerët dhe stafin, në mënyrë që të rikthehet sa më parë gjendja reale e rezultateve në kombëtaren tonë. Po ashtu, kryetari Ademi nënvizoi se do të mundohen të aranzhojnë sa më shumë ndeshje kontrolluese, të cilat do të ndihmonin që t’u jepet hapësirë sa më shumë futbollistëve për ta dëshmuar potencialin e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbërrin në dyert e gjykatës së Korçës, Zani Çaushi, një…