Ademi viziton FC Suharekën në Turqi, komplimenton organizimin e këtij klubi
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi është duke qëndruar për vizitë në Turqi. Gjatë kësaj vizite ai është ka vizituar disa klube të cilat janë duke u përgatitur në Turqi për fillimin e kampionatit në futboll.
Në mesin e klubeve që Ademi ka vizituar në Turqi është edhe FC Suhareka, e cila garon në Ligën e Parë. Me këtë rast, FC Suhareka ka falënderuar Ademin për vizitën dhe mbështetjen që kanë marrë nga ai.
“Në ambientet e hotelit ‘Aska Lara Resort’ në Antalya të Turqisë kishim për vizitë kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi. Ndihemi jashtëzakonisht të nderuar nga vizita e tij dhe kënaqësi e madhe që gjeti kohë të na vizitojë në Turqi. Nga kryetari Ademi morëm fjalë të mira dhe komplimente sa i përket organizimit të klubit duke na uruar suksese në arritjen e objektivave. Drejtori sportiv i klubit tonë, z. Lulzim Kolgeci shprehi falënderimet ndaj kryetarit për vizitën dhe gatishmërinë e Federatës ndaj klubeve dhe kontributin e madh në zhvillimin e futbollit kosovar”, ka njoftuar FC Suhareka.