Në kuadër të reformave dhe riorganizimit të Lidhjeve Rajonale të Futbollit, presidenti Agim Ademi, realizoi një vizitë pune në Lidhjen Rajonale të Futbollit në Prishtinë. Presidenti Ademi u prit nga kryetari i kësaj lidhjeje, Ismajl Ajeti, së bashku me anëtarët e bordit dhe stafin administrativ të këtij regjioni, për të diskutuar mbi përparësitë dhe prioritetet që synohen të arrihen përmes këtij procesi.
Gjatë takimit, u bisedua për procesin e reformave dhe riorganizimit të regjioneve, duke përfshirë zbatimin e projekteve të reja dhe avancimin e sistemit të digjitalizimit. Presidenti Ademi vuri theks të veçantë në rëndësinë që LRF e Prishtinës, si regjioni më i madh dhe më i rëndësishëm në vend, të shërbejë si shembull dhe udhëheqës në zbatimin e reformave dhe projekteve inovative.
Në takim u analizuan edhe nevojat dhe prioritetet e LRF-së të Prishtinës, ku presidenti Ademi i njoftoi të pranishmit edhe për projektin e fushës së futbollit në Bërnicë, që do të shërbejë për nevojat e shkollave dhe klubeve të këtij regjioni dhe që do të krijojë edhe hapësirat e nevojshme për funksionim sa më të mirë të këtij regjioni.
Gjithashtu, u diskutua për përgatitjen e planit për organizimin e aktiviteteve në vitin e ardhshëm, duke u bazuar në programin e ri të digjitalizimit të FFK-së.
Presidenti Ademi theksoi se këto reforma janë jetike për të siguruar një strukturë më moderne dhe të përshtatur me kërkesat e kohës. Ai shprehu bindjen se LRF e Prishtinës e ka potencialin dhe kapacitetin për të udhëhequr këto procese dhe për të ngritur standardet e futbollit.
“LRF e Prishtinës, si regjioni më i madh dhe më me ndikim, duhet të jetë shembull i një strukture të mirëorganizuar dhe të koordinuar. Me digjitalizimin e plotë dhe me reformat që po implementohen, ne po e çojmë futbollin kosovar drejt një epoke të re, më profesionale dhe më të suksesshme”, tha kreu i FFK-së.