Aderime të reja në Nismën Socialdemokrate
Partia e Fatmir Limajt përmes një njoftimi për medie ka bërë me dije se në një takim të mbajtur të hënën në zyrat qendrore në Prishtinë, në këtë subjekt kanë aderuar dhjetëra anëtare të reja.
Kryetarja e Gruas së Nismës, Valdete Bajrami i ka falënderuar anëtaret e reja që kanë zgjedhur Nismën për të dhënë kontributin e tyre.
Ajo iu ka premtuar atyre se do ta kenë gjithë hapësirën e nevojshme për të dhënë kontributin e tyre.
“Ne si Nismë e Gruas funksionojmë që nga themelimi i Nismës. Fryma të cilën e kultivojmë është liri, drejtësi dhe solidaritet. Organi i Nismës së Gruas është i konsoliduar në secilën degë. Një angazhim i përbashkët nuk do t’i mungojë Nismës në përgjithësi”, ka thënë ndër të tjera Valdete Bajrami.
Më tutje, ajo ka folur për politikat e Nismës. Kjo parti, sipas saj, nuk jep premtime, por zotime. Katër zotimet e Nismës, sipas saj, janë pjesë e programit qeveritarë dhe po zbatohen nga dikasteret përkatëse.
Nisma, sipas saj, është dëshmuar si parti konsistente që prej themelimit të saj.
Bajrami ka thënë se Nisma është parti që i ofron mundësinë gruas në vendimmarrje.
Fuqizimi i Gruas së Nismës, sipas saj, nënkupton edhe fuqizimin e vet partisë.
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, iu dëshiroi mirëseardhje anëtareve të reja.
Ai tha se kanë bërë vendim të mirë që i janë bashkuar Nismës.
Bytyqi ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë nevojë për politikat socialdemokrate të Nismës.
“Nisma në çdo degë të Kosovës po zgjerohet dhe po rritet. Neve na presin shumë punë. Pretendimet e Nismës janë shumë më të mëdha. Të gjithë anëtarët e ri do ta kenë hapësirën e nevojshme për të dhënë kontributin e tyre”, ka thënë Bytyqi.
E, anëtarët e reja të Nismës kanë thënë se kanë zgjedhë këtë subjekt pasi është dëshmuar si parti që po angazhohet për mirëqenien e qytetarëve.
Ato thanë se do të mundohen t’i zgjidhin problemet e grave gjithandej vendit. Programi politik dhe platforma, thanë se ishin ndër arsyet që i kanë bindur t’i bashkohen Nismës.
Po ashtu edhe mbështetjen dhe hapësirën që po ua jep Nisma të rinjve dhe grave, thanë se është një tjetër arsye që i janë bashkuar këtij subjekti.
/Epoka e re/