
Aderime të reja në Nismën Socialdemokrate
Nismës Socialdemokrate nga sot i janë bashkuar disa anëtarë në rinj.
Në mesin e tyre edhe Valentina Shala-Bajrami, magjistër për marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci dhe kandidate për deputete nga radhët e AAK-së.
Mirëseardhje anëtarëve të rinj u ka uruar kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Limaj u ka shprehur mirënjohje dhe respekt për vendimin e tyre për t’iu bashkuar Nismës.
“Nisma është shtëpia e juaj. Nisma është një organizatë politike që angazhohet për drejtësi dhe solidaritet. Ne duam dhe angazhohemi që të jemi zëri i punëtorit, i të riut dhe gruas, pensionistit dhe të gjithë njerëzve që kanë nevojë për ndihmën e shtetit”, ka thënë Limaj.
Më tutje, kreu i Nismës ka thënë se ai nuk e do votën e sharjes, por votën e zemrës.
Ai ka thënë se nuk janë parti që rrahin gjoks dhe shajnë të tjerët. Angazhimi kryesor i tij, është eliminimi i padrejtësive.
Valentina Shala-Bajrami ka falënderuar kryetarin Limaj që ia ka hapur derën e Nismës Socialdemokrate asaj dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Ajo ka thënë se nga tani është rreshtuar prapa Nismës dhe bashkërisht do t’i kalojnë me sukses sfidat e ardhshme zgjedhore.
“Ju bëj thirrje që bashkërisht të ecim tutje dhe programin socialdemokrat të Nismës ta përçojmë në secilën shtëpi të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Valentina Shala-Bajrami.
Nismës Socialdemokrate në muajt e fundit i janë bashkuar më shumë se 2 mijë anëtarë të rinj.
/Epoka e re/