ADK-ja uron qytetarët për 11-vjetorin e pavarësisë, bën thirrje të mbrohen kufijtë
Alternativa Demokratike e Kosovës (ADK), e cila drejtohet nga Edita Tahiri, përmes një komunikate për media ka uruar qytetarët e Republikës së Kosovës për 11-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
Sipas kësaj parti, kjo ditë nuk është vetëm ditë gëzimi por edhe ditë hidhërimi.
“11 vjet pas, kur askush as nuk do ta besonte, Kosova e jonë u sfidua nga lojëra të rrezikshme për prekje kufijsh dhe pjesa më tragjike është se u sfidua edhe nga brenda. Në vend se sot të festojmë për parimet dhe forcimin e shtetit, ne kemi një ndjenjë hidhërimi të madh. Mirëpo, ky hidhërim nuk duhet të na zhgënjej, përkundrazi duhet të na forcojë më shumë, sepse vetëm të fortë do t’i mbrojmë kufijtë e Kosovës, shtetin e Kosovës”, është theksuar në komunikatën e ADK-së.
ADK-ja, ka vlerësuar se Kosova si shtet ka marrë vulën ndërkombëtare nga Gjykata Ndërkombëtare për drejtësi në 2010, ku rrjedhimisht kufijtë e Kosovës janë njohur ndërkombëtarisht.
“Por vulën e madhe ia kemi dhënë ne populli i Kosovës, shqiptarët, të cilët për njëqind vjet luftuam për të ardhur të liria e pavarësia. Misioni jonë kombëtar vazhdon, ashtu siç e fituam ashtu do ta mbrojmë pa kursyer asgjë. Ne kemi dëshmuar se atdheu për neve është mbi të gjitha dhe sa herë që duhet e dëshmojmë përsëri. ADK-ja dhe unë si kryetare, dhe si një nga themelueset e këtij shteti, do të jemi përherë në shërbim të interesave kombëtarë, do të kundërshtojmë fuqishëm prekjen e kufijve të Kosovës sepse ato janë të shenjta”, thuhet tutje në këtë komunikatë.
Sipas ADK-së “shenjtëria e tyre buron nga flijimi me sublim që bëmë dhe nga lufta vizionare, e guximshme dhe vendosur si dhe diplomacia jonë largpamëse e lëvizjes për pavarësi ku që në fillimet e viteve të 1990-ta arritëm të krijojmë aleancën strategjike me SHBA dhe partnerët perëndimorë. Para nesh është rrugëtim sfidues por do t’ia dalim sepse shumica shqiptare është në rrugën e drejt, të atdhetarisë, dhe mbrojtjes së shtetit dhe kufijve të Kosovës. Urime Kosovë 11-vjetori i pavarësisë”.
/Epoka e re/