Administrata e Gjilanit ka përmbyllur 96 për qind të lëndëve
Në nëntëmujorin janar – shtator 2018, Drejtoria e Administratës së Përgjithshme në Gjilan, ka realizuar lëndët si të përfunduara me një përqindje të kënaqshme prej 96 për qind.
Kështu ka bërë me dije në një konferencë për medie, drejtori i kësaj administrate, Bardhyl Syla, duke shtuar se në fokus të veçantë ka qenë ngritja e nivelit të përformancës për shërbime sa më cilësore, efikase dhe sa më transparente në raport me qytetarët.
“Kemi bërë riorganizim të brendshëm dhe jemi në konsolidim të mëtutjeshëm të sektorit të Gjendjes Civile në aspektin e zbatimit të detyrave punuese nga zyrtarët, duke krijuar lehtësira teknike administrative gjatë kryerjes së shërbimeve ndaj qytetarëve. Me këtë riorganizim kemi arritur të evitojmë bredhjen e qytetarëve prej një sporteli në sportelin tjetër”, ka thënë Syla.
Ai ka theksuar se ka rënie të kilometrave të kaluara të automjeteve të komunës si dhe shpenzimeve në karburante në krahasim me vitin 2017. “Gjatë vitit 2017, kilometra të kaluara kanë qenë 206 mijë e 232 kilometra, krahasuar me nëntëmujorin e këtij viti me 164 mijë 861 kilometra, që i bie 41 mijë 371 më pak kilometra të kaluara”, është shprehur Syla.
/Epoka e re/