Administrata e Malishevës e përgatitur mirë për ofrimin e shërbimeve komunale
Të hënën është mbajtur mbledhja e rregullt e Këshillit të Drejtorëve në Komunën e Malishevës, e cila është drejtuar nga kryetari i Komunës, Ragip Begaj.
Në këtë mbledhje, drejtorët e drejtorive komunale, kanë raportuar për aktivitetet e drejtorive për javën e kaluar, si dhe për planifikimet për javët në vijim.
Gjatë raportimeve të tyre, shefi i Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme, Agim Morina, ka bërë me dije se të gjitha shërbimet në administratën komunale janë duke u kryer pa probleme, pa vonesa dhe shërbimet janë cilësore.
Morina, gjithashtu ka treguar se drejtoria është e përgatitur mirë edhe për fund vit, kur edhe kërkesat për shërbime janë më të shumta, për shkak ardhjes së mërgimtarëve për festat e fundit, dhe nuk parashihet të ketë probleme në ofrimin e shërbimeve të shpejta dhe cilësore.
Po ashtu edhe drejtoritë tjera kanë raportuar për aktivitetet e tyre dhe kryerjen e obligimeve dhe realizimin e planifikimeve të tyre.
Në këtë mbledhje u bë e ditur se janë duke vazhduar me realizimin e projekteve, siç janë rrugë, zgjerime të rrjeteve të kanalizimeve dhe projekte tjera.
/Epoka e re/