Administrata publike është jetike për funksionimin e mirë të shtetit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim virtual me prof. D. Wolfgang Drechsler dhe Bardhyl Dobrën, në lidhje me administratën publike.
Kurti ka theksuar se administrata publike është jetike për funksionimin e mirë të shtetit tonë.
“Reforma e saj, me qëllim përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe ekzekutimit të procedurave burokratike, i kontribuon sa demokratizimit të shoqërisë sonë aq edhe zhvillimit të saj”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Kurti ka thënë se profesori Drechsler është profesor eminent i Qeverisjes (Governance): profesor i rregullt në Tallinn Technology University të Estonisë, profesor i asociuar në Harvard University të ShBA-ve dhe në University College London të Britanisë së Madhe.
“Fushat e tij të interesit akademik përfshijnë nga Administrata Publike e vendeve joperëndimore te Administrata Publike, Teknologjia dhe Inovacioni e Qeverisja Elektronike, deri te Reforma e Menaxhmentit Publik. Profesori Drechsler ka një përvojë të gjerë e të thellë të punës edhe në politikëbërje, duke shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Agjencisë Gjermane përgjegjëse për nivelizimin e arsimit të lartë gjatë dhe pas ribashkimit të Gjermanisë Lindore me atë Perëndimore, si këshilltar i presidentit të Estonisë, dhe si analist i lartë legjislativ në Kongresin e ShBA-ve”, ka shkruar Kurti.
“Kurse, Bardhyl Dobra, përmes së cilit u mundësua ky takim i përbashkët, është doktorant në Administratë dhe Menaxhment Publik pranë Ghent University në Belgjikë. Tema e tij e doktoratës është “Rindërtimi i Administratës Publike në Shtetet pas Konfliktit – Rasti i Kosovës”. Dobra ka qenë Sekretar Ekzekutiv i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkollave dhe Instituteve të Administratës dhe zyrtar për akreditimet pranë Komisionit Ndërkombëtar për Akreditime të Programeve të Edukimit dhe Trajnimit në Administratë Publike, që të dyja me seli në Bruksel. Si shqiptar i Kosovës dhe shtetas francez, ai po ashtu është nënkryetar i Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris të Francës”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.
Ai ka bërë me dije se gjatë disktutimit, i ja njoftuar ata me ngjarjet dhe zhvillimet politike në vend sikurse edhe ato brenda Lëvizjes Vetëvendosje
“Fola për Qeverinë tonë në pranverën 2020 si dhe Qeverisjen Alternative të Lëvizjes dhe raportin e këtyre me administratën publike e vëmendjen për reformë e riformatim. Synimi i Qeverisjes sonë për luftimin e korrupsionit, zhvillim social e ekonomik, dhe rikthimin e trurit e bashkë me të edhe etikën perëndimore të punës padyshim se i shërbejnë përmirësimit të administratës publike”, ka shkruar Kurti.