Administrohen provat materiale ndaj të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin e njohur si “Subvencionet 1”, të enjten janë administruar provat materiale.
Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Luan Statovci, avokati Naim Rudari, ka kundërshtuar të gjitha provat e propozuara nga Prokuroria për t’u administruar në këtë shqyrtim gjyqësor.
Rudari po ashtu ka kundërshtuar të gjithë SMS-ët, duke pretenduar se janë nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme, si dhe kërkoi nga trupi gjykues edhe një herë t’i shpallë provat e papranueshme dhe t’i veçojë nga shkresat e lëndës, raporton “Betimi për Drejtësi” .
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Salih Statovci, avokati Tahir Rrecaj ka mbështetur vërejtjet të cilat i dha avokati Rudari, i cili po ashtu ka propozuar që mesazhet dhe komunikimet tjera përmes mjeteve të komunikimit, të shpallen prova të papranueshme.
Kurse, mbrojtësit e të akuzuarve Sadat Shkodra, Berat Nika, Florim Nimanaj, Musa Nivokazi dhe Hasan Maxharraj, avokatët Faton Hyseni, Feim Alaj, Vjosa Beqiri, Argjend Sefa dhe Arbër Guta, deklaruan se qëndrojnë pranë kundërshtimeve të kolegëve.
Mbrojtësi i të akuzuarit, Hasan Maxharraj, avokati Arbër Guta deklaroi se provat karakterizohen edhe me shkelje flagrante të të drejtave të të pandehurit në procedurë penale.
“E përkrahim propozimin e kolegëve, sidomos edhe me provat të cilat kolegu Tahir i potencoi të cilat përveç kundërligjshmërisë procedurale, të njëjtat karakterizohen edhe me shkelje flagrante të të drejtave të të pandehurit në procedurë penale, siç është e drejta e privatësisë e cila nuk kufizohet, vetëm përmes urdhrit të gjykatës”, tha avokati Guta.
Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Kushtrim Zogaj, avokati Granit Vokshi deklaroi se mëqenëse këto provat nuk kanë relavancë në raport me të mbrojturin e tij, nuk ka interes të deklarohet.
Më pas mbrojtësi i të akuzuarit Lulzim Hajdaraj, avokati Xhemajl Ademaj propozoi që si provë të administrohet udhëzimi administrativ i cili përshkruan të gjitha punët dhe detyrat e dy zyrtarëve në terren lidhur me subvencionet, me të cilat tha që vërtetohet se i mbrojturi i tij, si zyrtar i caktuar për të vlersuar kërkesat në terren nuk është vendimmarrës.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Almir Abdurrahmani, avokati Bekim Kafexholli tha që meqenëse Prokuroria dje përmes e-mailit kishte dërguar provat materiale, nuk ka pasur kohë të mjaftueshme që t’i analizojë dhe që tani të japë vërejtjet e specifikuara.
Po ashtu, avokati Kafexholli kërkoi që këto prova të mos administrohen.
Tutje, avokati Rudari vëri dyshime edhe mbi ligjshmërinë e marrjes së këtyre provave, duke pretenduar se forma e tillë e nxjerrjes së SMS-ve, përbën shkelje të privatësisë dhe se lidhur me këtë çështje ekzistojnë dy aktgjykime, njëri në Gjykatën Supreme dhe tjetri në Gjykatën Kushtetuese.
Më pas, mbrojtja ka propozuar bashkimin e dy apo më shumë procedurave, për rastin e njëjtë, i cili propozim u refuzua nga trupi gjykues.
Lidhur me këtë, prokurori special Rafet Halimi ka kërkuar sqarime se çka përmban detajisht aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe i njëjti të prezantohet, ndërsa lidhur me bashkimin e procedurës deklaroi se Prokuroria nuk e kundërshton këtë propozim, por e lë në diskrecion të gjykatës.
“Sa i përket bashkimit të propozuar, le ta vlerëson gjykata, dy aktakuzat e fundit ende as shqyrtimi fillestar nuk ka filluar, kështu që në këtë fazë është vështirë të bashkohen”, tha prokurori Halimi.
Gjatë seancës, avokati Rudari dorëzoi për administrim si provë vendimin e Qeverisë, i cili tha se ka të bëjë me dyfishimin e pagesave të programit për vitin 2020, propozim ky që u aprovua nga trupi gjykues. Po ashtu, një aktgjykim të Gjykatës Supreme me të cilin sipas avokatit Rudari, gjykata ka konstatuar se SMS-ët e nxjerrë në mënyrë retroaktive përbëjnë ndërhyrje në privatësi, i cili propozim u refuzua nga trupi gjykues.
Gjithashtu, avokati ka dorëzuar edhe një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin sipas tij gjykata ka konstatuar se ka pasur shkelje të Nenit 36 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që ka të bëjë me të drejtën e privatësisë dhe se ka udhëzuar që përmes këtij aktgjykimi të vendoset një standard i ri në praktikën gjyqësore, i cili propozim gjithashtu u refuzua të administrohet si provë nga trupi gjykues.
Lidhur me këtë çështje, u deklarua edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shkodra, avokati Skender Musa, duke thënë që këto prova janë marrë në mënyrë të jashtëligjshme.
“Me nenin 36 të Kushtetutës rregullohet kjo çështje e të drejtës së privatësisë. Kjo dispozitë e obligon çdo organ se para se të kufizojë të drejtën e komunikimit dhe privatësisë të marrë vendim gjyqësor e që në rastin konkret ne konsiderojmë se është cënuar e drejta e privatësisë sepse SMS e marrë nga telefonat e të akuzuarve janë nxjerrë pa vendim gjyqësor dhe pa asnjë dyshim se kjo formë e marrjes së këtyre SMS është në kundërshtim me vetë Kushtetutën. Konsiderojmë se këto prova janë marrë në mënyrë të kundërligjshme”, tha avokati Musa.
Tutje, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin aprovoi propozimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që të adminsitrohen të gjitha provat materiale.
Kurse, avokati Naim Rudari propozoi që seanca e sotme të ndërpritet në mënyrë që të përgatisin dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit.
Ndryshe, në seancën e 21 shkurtit 2023, trupi gjykues kishte veçuar procedurën për të akuzuarit Nivokazi dhe Kelmendi, duke shtuar se gjykata në seancës e radhës do të vlerësojë nëse procedura do të vazhdohet ndaras apo do të bashkohet.
Ndërkaq, në seancën e 14 prillit 2023, ishte bashkuar procedura penale ndaj të akuzuarit Nivokazi me të akuzuarit e tjerë.
Në seancën e 13 prillit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë për 7 nga 21 të akuzuarit në rastin “Subvencionet 1”.
Ndërsa, më 19 prill 2022 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”, Alban Bushati, Kastriot Berisha, Bekim Shala, Flamur Zeqiri, Habibe Dauti, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi, duke i dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.
Sipas aktakuzës së ndryshuar të PSRK-së, të 4 prillit 2022, Flamur Zeqiri, Bekim Shala, Kastriot Berisha dhe Dukagjin Mavraj, akuzoheshin për veprën penale mashtrim me subvencione, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar akuzohej Habibe Dauti, për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve akuzohej Alban Bushati, ndërsa për dhënie ryshfeti akuzohej Daut Kabashi.
Aktakuza e ndryshuar më 4 prill 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Luan Statovcin, Sadat Shkodrën, Salih Statovcin, Berat Nikën, Hasan Maxharrajn, Kushtrim Zogajn, Jeton Sylajn, Lulzim Hajdarajn, Musa Nivokazin, Almir Abdurrahmanin, Salih Kelmendin, Fuat Morinën, Afrim Abazajn dhe Florim Nimanajn me veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Mashtrim me subvencione”, e të tjera.
Në shkurt të 2022-ës, PSRK kishte ngritur aktakuzë ndaj 21 të pandehurve, në rastin “Subvencionet 1”.