Admirali amerikan: Pakënaqësitë për taksën të zgjidhen përmes dialogut
Admirali amerikan, James Foggo, komandant i Komandës së Forcave të Bashkuara Aleate në Napoli, ka thënë se e kupton frustrimin e qytetarëve serbë në veri të Kosovës, të cilët janë duke protestuar kundër vendosjes së tarifës 100 për qind që u ka vënë Qeveria e Kosovës prodhimeve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
“Unë sigurisht se e kuptoj frustrimin e njerëzve, të gjithë njerëzve që preken nga rritja e tarifave. Po ashtu e di se ka pasur disa protesta dhe në demokraci, në një shtet demokratik – dhe këtu po flasim për dy demokraci, po flasim për Kosovën dhe Serbinë, unë gjithmonë kam mbajtur qëndrimin se qytetarët që kanë autoritetin dhe përgjegjësinë për të votuar, kanë zë. Prandaj, ata edhe mund të protestojnë”, ka thënë Foggo në një konferencë për medie në Prishtinë, pas ceremonisë së ndërrimit të komandës së KFOR-it nga Salvatore Couci te Lorenzo D’addario.
Megjithatë, ai ka theksuar nevojën që protestat të jenë paqësore dhe se pakënaqësitë të zgjidhen përmes dialogut.
“Nëse ka protesta, unë gjithmonë kam inkurajuar, në fakt, kam kërkuar që ato të jenë paqësore. Prandaj, nuk është e nevojshme që të thërrasim asnjë forcë policore, atë të EULEX-it ose KFOR-it. Unë parapëlqej që të zhvillohet një dialog, në mënyrë paqësore. Prandaj, keni të drejtë vote, prandaj keni të zgjedhur të popullit dhe ato tensione, ato frustrime duhet adresuar te të zgjedhurit, nëse është e nevojshme në të dy anët e kufirit”, ka thënë Foggo.