Admirali Foggo për ushtrinë e Kosovës: Është një vendim sovran
Vendimi i autoriteteve të Kosovës për të transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, është një vendim sovran, dhe ne mbetet ta respektojmë. Kështu ka deklaruar sot në Shkup, komandanti i Komandës së Përbashkët të Forcave Aleate në Napoli, admirali James Foggo.
Komentet e tij, admirali Foggo i bëri në një konferencë për media në Shkup, pas takimit që realizoi me ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmilla Shekerinska.
I pyetur nga gazetari i “AA”-së mbi pohimet për formimin e ushtrisë së Kosovës, dhe ndikimet që kjo mund t’i ketë për stabilitetin e rajonit, Foggo, të cilit komandanti i KFOR-it i jep llogari, tha se “Kosova është një demokraci e njëjtë ashtu siç janë Maqedonia dhe Serbia ku qytetarët votojnë personat të cilët marrin vendime në emër të tyre”.
“Nga këtu them se ky është një vendim sovran të cilin do të duhet të bëjë Kuvendi i Kosovës për transformimin e FSK-së”, ka deklaruar Foggo.