Admirali James Foggo thotë se është i lumtur që dialogu Kosovë-Serbi po vazhdon
NATO-ja është e lumtur që Kosova dhe Serbia po zhvillojnë dialog për çështjet e pazgjidhura, por aleanca më e madhe ushtarake në botë, nuk e di se si duket plani i negociatave, ka thënë njëri nga komandantët e NATO-s, James Foggo, i cili është duke qëndruar në Kosovë.
Admirali James Foggo, komandant i Komandës së Përbashkët të Forcave Aleate në Napoli i shoqëruar edhe nga gjeneral major Salvatore Cuoci, komandant i KFOR-it kanë vizituar të hënën Manastirin dhe Komunën e Deçanit.
Foggo ka thënë se presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq janë zgjedhur me votë demokratike dhe ata përfaqësojnë shumicën në vendet e tyre.
“Unë nuk e di se si duket plani i tyre, por ata janë zyrtarët që i keni zgjedhur ju. Demokraci ka në të dy anët e kufirit, në Kosovë dhe Serbi dhe ata janë zyrtarët tuaj të zgjedhur me votë të lirë dhe këta zyrtarë përfaqësojnë interesat e shumicës në të dyja vendet”, ka thënë Foggo gjatë një vizite në Komunën dhe Manastirin e Deçanit.
“Unë jam i lumtur që dialogu është duke vazhduar dhe se presidenti Vuçiq dhe Thaçi po ashtu janë në dialog me Brukselin. Si ushtarakë që jemi, që prezantojmë NATO-n dhe KFOR-in, as unë dhe as gjenerali i KFOR-it Cuoci nuk jemi në dhomën kur mbahen këto negociata mes Thaçit dhe Vuçiqit”, ka thënë ai.
Gjatë vizitës në Komunën e Deçanit, Admirali Foggo ka thënë se janë pajtuar me kryetarin e komunës dhe zyrtarët të Kishës Ortodokse që punimet për ndërtimin e rrugëve në këtë komunë të bëhen sipas ligjit. Foggo ka kërkuar që për çdo projekt infrastrukturor të kihet parasysh ligji për Zona të Veçanta të Mbrojtura.