Admirali Munsch vizitë në Kosovë, takon komandantin e KFOR-it
Komandanti i Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), Ozkan Ulutash, ka takuar të martën shefin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Stuart B. Munsch, ndërsa në fukus të diskutimeve, në bazë të një njoftimi të lëshuar për shtyp para pak çastesh, ka qenë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).
“Gjeneralmajori Ulutash ilustroi aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftimin e KFOR-it rreth takimit midis dy ushtarakëve në Camp Film City në Prishtinë.
Ndryshe, vizita e admiralit amerikan të aleancës vjen pas asaj të Ndihmës Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge, në kohën kur autoritetet kosovare kanë ndërmarrë disa veprime në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, përfshirë edhe inciativën për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, raporton Albanianpost.
NATO ka dislokuar rreth 1 mijë ushtarë shtesë në Kosovë – prezenca më e madhe në 10 vitet e fundit – kryesisht për shkak të paralajmërimeve për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve midis Prishtinës e Bogradit dhe cenimit të paqes e sigurisë në rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimor.