“Adolescence”, serial që hap debat shumë të rëndësishëm

07 prill 2025 | 07:40

Dardan A. Gashi

Seriali “Adolescence” jo vetëm që ia vlen të ndiqet për shkak të realizimit artistik dhe aktrimit të shkëlqyer, por spikat edhe për mënyrën se si i qaset temës kryesore.

Tema është “qershia mbi tortë” në këtë serial. Me gjithsej katër episode, çdo episod trajton në mënyrë të veçantë problemin kryesor që vendos në qendër.

Episodi i parë është i mbushur me dinamika të panjohura, të cilat shpalosen gradualisht. Megjithatë, në fund nuk sjell ndonjë surprizë të madhe – më shumë duket si një lajm kronike e zezë, i ngjashëm me ato që shpesh i lexojmë në portale të ndryshme për ngjarje kriminale ordinere.

Episodi i dytë ndryshon rrjedhën e serialit në mënyrë drastike. Ky është edhe episodi më i bukur i serialit, sepse shpjegon më së miri arsyen pse autori ka zgjedhur titullin “Adolescence”. Fillimisht, titulli nuk të krijon përshtypjen se sjell diçka të re në kinematografi, pasi adoleshenca ka qenë një temë e përhershme e dramaturgjisë – prej autorëve antikë me tragjeditë e Iliadës, veprimi i nxitur nga emocionet adoleshente të Paridit dhe Helenës solli shkatërrimin e Trojës. E deri te Shekspiri me Romeo dhe Zhuljetën.

Ajo që e bën të veçantë serialin “Adolescence” është qasja e tij ndaj kësaj periudhe. Ndërsa dramaturgët klasikë e paraqitnin adoleshencën si një fazë të pasionit të pakontrolluar për dashurinë – ku të rinjtë ishin gati të “digjnin botën” për ta arritur atë, si Paridi apo Romeo – adoleshentët e sotëm kanë krijuar një botë krejt tjetër. Dhe, mesa duket, prindërit, mësimdhënësit, policia, psikologët dhe sociologët ende nuk e kanë kuptuar plotësisht këtë realitet të ri. Ata nuk janë as të vetëdijshëm për ekzistencën e një “universi paralel”, i cili është krijuar brenda hapësirës digjitale.

Episodi i tretë na jep vetëm disa shkëndija të kësaj bote të panjohur. Shikuesi përballet me një ndjenjë befasie, duke kuptuar se sa pak e njohim këtë dimension të ri të adoleshencës.

Episodi i katërt është një alarm i qartë: kjo botë duhet të njihet, sidomos nga prindërit, shkollat, sociologët dhe psikologët. Po përballemi me këtë realitet vetëm kur pasojat e tij manifestohen në tragjedi.

Seriali nuk sjell zgjidhje të drejtpërdrejta për këtë problematikë, por hap një debat shumë të rëndësishëm për mënyrën se si duhet trajtuar ky fenomen. Adoleshenca e sotme nuk i ngjan asaj të antikitetit, as dashurive naive Romeos e Zhuljetes, madje as adoleshencës së para 15 viteve. Kjo është një botë e re, që na ka gjetur të papërgatitur. Ndikimi i teknologjisë dhe i rrjeteve sociale ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si të rinjtë e jetojnë dhe e perceptojnë botën, prandaj duhet t’i qasemi me një metodologji të re.

Vërejtja e vetme për serialin: Do të kishte qenë e vlefshme edhe një episod i pestë, i cili do të trajtonte rolin e mediave dhe etjen e tyre për të shfrytëzuar tragjeditë për përfitime të vogla financiare.

Autori është aktor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Osijek të Kroacisë, u hap Shtëpia e Kulturës Shqiptare,…