Adolf Hitleri – jeta, mizoritë dhe vdekja e tij (1)
Çfarë simbolizonte shprehja gjermane “shumë armiq, shumë nder”?
Edhe në fillim të shekullit XXI vazhdojnë të jenë të hapura pyetje të ndryshme lidhur me rrethanat shoqërore, historike, politike, kulturore, psikologjike etj. të paraqitjes së Adolf Hitlerit në skenën botërore. Në këtë kuptim, me të drejtë shtrohen pyetjet: Cila ishte parahistoria e paraqitjes së Adolf Hitlerit në skenën politike? Cilat ishin parakushtet historike, kulturore etj. që mundësuan paraqitjen e nazizmit si ideologji dhe lëvizje politike dhe ushtarake? Çfarë lloj njeriu mund të planifikonte dhe të zbatonte plane dhe projekte aq vdekjeprurës për njerëzimin? Megjithatë, Adolf Hitlerit, diktatorit më të rrezikshëm të shekullit të XX, nuk i dihet varri, ndërsa në vendin e tij në Gjermani nuk ka përmendore!
Shkruan: Prof. dr. Agim ZOGAJ
Ambiciet diktatoriale
Shekulli XX kishte diktatorë të ndryshëm, ndërsa Adolf Hitleri ishte një nga ata që i solli më së shumti vdekje njerëzimit. Të dhënat flasin se mbi 50 milionë njerëz u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore të cilën e shkaktoi, e nxiti politika agresive, gjakatare e Adolf Hitlerit, politikë dhe projekt i cili në histori njihet me emrin nazizëm. Sot, kur mbarë bota shënon 60-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Hitleri mbetet një figurë që frymëzon zemërimin dhe urrejtjen e miliona njerëzve. Njerëzit e rinj në moshë ndoshta nuk e dinë saktësisht se kush ishte ai ose çfarë krimesh të tmerrshme ka kryer. Por prindërit, gjyshërit dhe stërgjyshërit, me siguri që i mbajnë mend ato krime, ato luftëra dhe ato vuajtje. Veprimet kriminale të Hitlerit, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë lënë gjurmë të thella te njerëzit që jetuan në vitet e vona të dy të tretave të fundshekullit të njëzetë.
Sigurisht që Adolf Hitleri nuk ishte i pari lider i cili ishte një diktator, një lider me pushtet dhe autoritet absolut mbi njerëzit që drejtonte. Historia flet se ideja e diktaturës hodhi rrënjë më shumë se 2000 vjet më parë, në Romën e lashtë, ku gjenerali Jul Çezari e quajti veten e tij “Diktator deri në vdekje”. Vite dhe shekujt kaluan por, koncepti i një udhëheqësi të plotfuqishëm nuk vdiq. Madje, në rrethanat e historisë moderne, kur u krijuan kushte dhe rrethanat të reja për lindjen e diktatorëve të llojit të ri, nga Evropa në Azi dhe në Amerikën Latine, filluan të dilnin liderë si Hitleri, që deklaronin se mund të zgjidhnin të gjitha problemet e kombit të tyre në qoftë se do t’u jepej pushteti për ta bërë këtë.
Në fakt, në shumicën e rasteve, influenca e diktatorëve të rinj nuk u përhap përtej kufijve të vendeve të tyre. Por disa prej tyre ushqyen ambicie më të mëdha. Në Itali, Benito Musolini përfytyronte një “Perandori Romake” të re. Në Rusi, Vladimir Iliç Lenini dhe Josif Stalini u përpoqën të ndërtonin një shoqëri komuniste që do të shërbente si fillimi i një revolucioni mbarë botëror. Por, më i rrezikshmi nga diktatorët e shekullit te njëzetë, ishte Adolf Hitleri, të cilin, për çudi, në disa segmente veprimi diktatorial u përpoq ta imitonte Slobodan Milosheviqi, diktatori i fundit i shekullit të kaluar.
Sidoqoftë, me të drejtë shtrohet pyetja: Cila ishte parahistoria e paraqitjes së Adolf Hitlerit në skenën politike, përkatësisht cilat ishin parakushtet historike dhe të tjera që mundësuan nazizimin si ideologji dhe si lëvizje politike e ushtarake. Çfarë lloj njeriu mund të planifikonte dhe të vinte në zbatim plane kaq të tmerrshme. Si arriti të fitonte mbështetje për ndërmarrjet e tij vdekjeprurëse?
Në shekullin XIX dinastitë mbretërore ishin të mendimit, në përgjithësi, se kishin origjinë gjermanike. Heinrich Heine, me krenari deklaronte se: “Mbretërit tanë janë vendosur në të gjitha fronet e Evropës”. Madje një mistik anonim i shekullit XII kishte shkuar aq larg sa që kishte pohuar se Adami dhe Eva flisnin gjermanisht. Kjo donte të thoshte se, ndryshe nga gjuhët romane, gjuha gjermane, që në origjinë, ishte krejt e ndryshme dhe një e vetme, pa degëzime, pra një gjuhë origjinale e njerëzimit. Humanistët e parë gjermanë madje, shkruan studime ku mbështetnin arsyen dhe të drejtën e hegjemonisë së Perandorisë së Shenjtë gjermanike ose të gjermanizimit. Ekzistojnë, po ashtu, edhe shkrime që duket sikur paralajmëronin ardhjen e Reichut të III, sepse në to jepeshin këshilla se si të ktheheshin në skllevër romakët,. sllavët dhe çifutët.
Hitleri kishte një gjen shkatërrimtar
Kështu, nga brezi në brez, mund nxirren shprehjet që u përdorën, nga autorë para së gjithash, për ti thurur lavdi gjuhës gjermane, ashtu edhe për tu përkujdesur për “pastrimin” e saj, siç ndodhi në shekullin XVII. Në mënyrë të veçantë Muntesquieu u thurte lavdi virtyteve, siç shprehej, të “baballarëve tanë gjerman”.
I famshmi Fichte ndërkaq i cili i ndau popujt e Evropës në “gjermanë” dhe “neolatinë”, deklaronte se ndeshja e tyre do të vendoste fatet e botës. Fichte shkruante: “ Po të shkatërroheni ju, i tërë njerëzimi do të shkatërrohet bashkë me ju, pa asnjë shpresë rimëkëmbje”.
Në vitin 1871, pas mbarimit të luftës franko – prusiane, bashkimi i Gjermanisë bëri tjetër veçse forcoi krenarinë kombëtare dhe raciale.
Ishte më vonë, biologu anglo – gjerman Houston Stewart Chamberlain që u bë profet i arianizmit. Ai në veprën e tij prej 1500 faqesh “Gjeneza e shekullit XIX”, pohonte se vetëm arianët ishin me të vërtetë krijues dhe se i gjithë përparimi i mendjes njerëzore u dedikohej atyre.
Rezultatet e përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe disfata e Gjermanisë në të, shkaktoi paqartësi të reja në radhët e elitës së kombit gjerman. Elita gjermane, për disfatën e Gjermanisë në këtë luftë fajësonte pjesën më të madhe të kombeve të ashtuquajtura të qytetëruara të kohës. Ndaj, ndër patriotët gjerman të kohës, ishte në modë shprehja “Shumë armiq, shumë nder”.
I gjithë kombi ishte kundër Marrëveshjes së Versajës, të cilën e konsideronte si burim i të gjitha fatkeqësive të popullit gjerman.
Adolf Hitleri ka lindur më 20 prill të vitit 1889, në qytetin e vogël austriak të quajtur Braunau, në kufirin mes Austrisë dhe Gjermanisë. Ishte fëmija i katërt i prindërve të tij dhe i pari që jetoi mbi moshën dy vjeç.
Familja Hitler bënte një jetë të rehatshme si klasë e mesme. Babai i Adolfit, Alois, ishte një oficer i respektuar dogane, nëna e tij Klara ndërsa, kishte qenë dikur shërbëtore dhe njihej si grua e thjeshtë, modeste dhe e sjellshme. Në vitin 1903, Hitlerit i vdiq i ati duke i lënë familjes një pasuri të vogël. Nga babai u edukua në një mënyrë të ashpër që të bëhej i fortë dhe ky i mbajti mëri gjithë jetën. Ndërsa nënën duket se e adhuronte. Pas vdekjes së babait ai e la shkollimin de nuk shkoi më tej klasës së katërt. Më vonë familja u shpërngul në qytetin Linz dhe Adolf i ri lexonte me etje të madhe çdo libër që i binte në dorë. Pas një kohe e bëri mik të afërt studentin e muzikës, August Kubizek, i cili tregonte se kur ata rrinin bashkë, Hitleri i ri i mbante atij fjalime të zjarrta në të cilat i mburrej për lavdinë e vet të ardhmes artistike, duke përjashtuar çdo shenjë ambicieje politike.
Në vjeshtën e vitit 1907, i riu Adolf, i cili sapo kishte mbushur 18 vjeç, me bekimin e nënës, mori vendimin që të shkonte në Vjenë për të hyrë në Akademinë e Arteve të bukura. Nuk arriti të regjistrohej, ndërkohë që në të njëjtin vit i vdes nëna, për vdekjen e të cilës kishte përjetuar pikëllim të thellë. Madje, mjeku personal i nënës së tij, doktori Bloch, duke analizuar shkallën e këtij pikëllimi, shumë më vonë kishte deklaruar se, për tu motivuar që ti sillte njerëzimit aq shumë fatkeqësi, Hitleri duhej të kishte një gjen shkatërrimtar që nuk shpjegohet dot. (Vijon)