Adri Nurellari dhe përshkrimi bardh e zi në përputhje me detyrën e oborrtarit
Bilall Sherifi
Në shkrimin e titulluar “Anti-thaçizmi si dëshmi e shterpësisë së mendimit politik”, Adri Nurellari kishte nxjerrë përmes gojës atë që kishte pasur në bark. Nga pozita e “mendje ndriturit” që gjoja kishte pasur për synim të ngritët nivelin e debatit, ai reagoi ndaj shkrimit tim me të njëjtën logjikë që kishte përdorur edhe në shkrimin e lartpërmendur.
Duke dashur të paraqitet si viktimë, në “Replikë me Sherifin e betejave të përbaltjes” autori, që kësaj radhe flet në shumës, më akuzon se merrem me “përgojime, thashetheme e sulme personale”, “etiketime personale”, “fyerje personale” e kështu me radhë, sa që, sipas tij, shkrimi im “mund të shërbej si model, shabllon apo shembull ilustrativ klasik i komunikimit të përbaltjes”.
Me sa shihet nga replika, Adri Nurellari, është përpjekur që përmes laksativit të zhbllokoj kapsllëkun e ideve në kokën e vet duke vjellë vrer kundër meje. Do të ishte mirë që ndonjëri nga miqtë e tij t’i tregojë se të vjellurat ndalen me ilaçe adekuate dhe në rastin konkret do të ishte mirë t’i sugjeronin medikamentin e prodhimit gjerman ‘Enjomin Suppozitoria’, edhe pse Gjermania është shprehur kundër “korrigjimit të kufijve”. Përndryshe, me laksativë do të fëlliqet edhe më tepër.
Në stilin e tij të logorresë, z. Nurellari deklaron: “qëllimi i replikës është sqarimi i opinionit publik mbi shkrimin tim të cilin z. Sherifi ose nuk e ka lexuar duke u mjaftuar me titullin, ose nuk e ka kuptuar pasi e ka lexuar ose me dashakeqësi e keqinterpretuar për të justifikuar një sulm personal”.
Në vijim të këtij shkrimi ftoj lexuesin që së bashku t’i shohim gjërat që shtron z. Nurellari, sepse është mënyra e vetme për të nxjerrë në dritë nëse vërtetë është viktimë e sulmeve herë “ad hominem” e herë “ad personam” apo kjo mënyrë prezantimi ka për qëllim t’i shtijë në gjynah lexuesit e vet.
Në replikën ndaj shkrimit tim nuk bëhet dallimi i sulmeve “ad hominem” prej atyre “ad personam”. Do të kishte qenë mirë që ndonjëri nga miqtë e tij filozofë t’i sqaronte këtij “mendje ndrituri që merret me ide” se që nga koha e Schopenhauerit këto dy forma të argumentimit të gabueshëm logjik nuk futen në të njëjtin thes. Ndoshta kjo do t’i ndihmonte z. Nurellari të shihte që shkrimi i tij ngjan me një “strajcë të lypsarit” të mbushur me gjëra që i japin të tjerët.
Kur lexon supozimet e z. Nurellari se gjoja unë “ose nuk e ka lexuar shkrimin e tij, duke u mjaftuar me titullin, ose nuk e kam kuptuar pasi e kam lexuar ose me dashakeqësi e kam keqinterpretuar për të justifikuar një sulm personal”, me të drejtë shtroj pyetjen a është Adri Nurellari autorë i vetëm i shkrimit që mban emrin e tij. “Viktima” Nurellari mendon se lexuesit kanë harruar se në “Anti-thaçizmi si dëshmi e shterpësisë së mendimit politik” kundërshtarët e Hashim Thaçit i diagnostifikon si “njerëz me psikozë” që gjoja na qenkëshin të nxitura “nga hatërmbetja, marazi, mëria, inati, zilia, xhelozia, lakmia personale apo forma të tjera të ngjashme kompleksesh”.
Kur sheh, nga njëra anë, mënyrën se si nxihen kundërshtarët (denigrimi në gjuhën latine ka kuptimin e nxirjes) dhe nga ana tjetër citohet humanistja dhe politikanja amerikane Eleanor Roosevelt se “mendjet e ndritura diskutojnë për ide, mendjet mesatare diskutojnë për ngjarjet ndërsa mendjet e vogla diskutojnë për njerëz”, atëherë bëhet e qartë se cilës “mendje” i takon autori i shkrimit “Anti-thaçizmi si dëshmi e shterpësisë së mendimit politik”.
Nga të gjitha fjalët që vërshuan shkrimin e lartpërmendur, nuk ka asnjë fjalë të vetme të cituar nga ndonjë shkrim i kundërshtarëve të Hashim Thaçit. Duke e konsideruar veten si “mendje ndritur”, z. Nurellari mendon se është i mjaftueshëm pohimi i tij që edhe të tjerët t’i konsiderojnë “anti-thaçistët” si njerëz me “shterpësi të mendimeve politike”, të cilëve “nëse u hiqet agresiviteti dhe kritikat e shumta të bëra ndaj Thaçit, vështirë se iu ngelet ndonjë kontribut apo rol tjetër në jetën publike për të cilin të meritojnë statusin që kanë sot në shoqëri”.
Ndërsa sa i përket idhujtarisë së z. Nurellari lexuesi i shkrimit të parë të tij e kupton se njësi vlerësuese për çdo personalitet tjetër është qëndrimi ndaj Hashim Thaçit. Nga momenti kur kritikohet idhulli, atëherë kritikuesi nuk ka asnjë vlerë në sytë e Adri Nurellarit.
Nuk ka formë më ekstreme të përbaltjes, se sa injorimi i asaj që kundërshtarët e Hashim Thaçit kanë thënë ose kanë shkruar dhe përgojimi, thashethemet, fyerjet dhe sulmet e drejtpërdrejta që u bëhet atyre në shkrimin i cili mban emrin e Adri Nurellarit.
Para se të vazhdoj me shkrimin tim, e shoh të udhës të sqaroj se shprehja “shkrim i cili mban emrin e Adri Nurellarit” është imponuar për disa arsye.
Në vend të sqarimit se çka nënkuptohet me “thacizëm”, Adri Nurellari lëshohet në përmendjen e një liste të gjatë të përdorimit të prapashtesës “izëm”, me qëllim “të dëshmojë” se unë “paskam njohuri të kufizuara gjuhësore”!
Citatet nga “google serche” nuk e ilustrojnë “shprehjen e famshme të Konfuçit, kur një i mençur tregon hënën ata që s’janë të mençur analizojnë gishtin” dhe as e bëjnë dikë filozof. Përkundrazi, është teknikë e përhapjes së tymnajës për të krijuar konfuzion se gjoja “gishti mund të fshehë diellin”.
Asnjë autor që përgojon, që merret me thashetheme, që fyen apo që sulmon në përputhje me “argumentum ad personam” nuk mund të pretendojë se është “mendje ndritur që diskuton ide”. Pohimi i z. Nurellari se ka “shpresuar që të ngjallë një debat reflektues me atë shkrim dhe të kontribuojë sadopak në ngritjen e nivelit të debatit” e bën paradoksal. Pretendimi i tij paradoksal nuk mund të këtë shpjegim tjetër pos nëse dikush tjetër i ka shtuar shkrimit të parë që mban emrin e tij, të gjitha sulmet “ad personam” që përbaltin kundërshtarët e Hashim Thaçit. Prandaj, është mirë që Adri Nurellari të ndërpresë logorrenë dhe të sqarojë publikisht nëse qëndron prapa kualifikimit si “njerëz me psikozë” kushdo qoftë që ka marrë guximin për të mos “luajtur lojën” e Hashim Thaçit.
Dilema se dikush tjetër ka mundur t’i shtojë shkrimit të tij “pjesë që i pëlqejnë shefit”, përforcohet kur në shkrimin e fundit deklaron se “thaçizmin nuk e mendon si ideologji politike apo doktrinë teorike…”. Nëse vërtetë në shkrimet e tij nuk ka ndërhyrë askush, atëherë si të shpjegohet qëndrimi diametralisht i kundërt rreth “thaçizmit si ideologji” të shprehur në shkrimin e parë? Në shkrimin “Anti-thacizmi si dëshmi e shterpësisë së mendimit politik” “thaçizmi” kualifikohet si “orientim ideologjik që kishte bashkuar njerëzit me çrregullime psikologjike-psikiatrike në një koalicion të obsesionuarish me anti-thaçizëm” ose si “shtyllën kryesore ideologjike edhe të Lidhjes Demokratike”! Me asnjë manovrim logorreje nuk mund të shpjegohet kundërthënia që nxjerr në shesh dilemën në mes të “shterpësisë së mendimit politik” dhe servilizmit të “mendje ndriturit” që zbaton logjikën e oborrtarit.
Distancimi i z. Nurellari nga përbaltja e kundërshtarëve duke u bazuar në sulmet “argumentum ad personam” ose “argumentum ad hominem” dhe realiteti i shkrimeve të tij të stërmbushura me sulme të po të njëjtës natyrë e përforcon dilemën që dikush ka mundur të ndërhyjë në shkrimet e tij. Kur del jashtë sulmeve “argumentum ad personam” dhe “argumentum ad hominem”, z. Nurellari deklaron: “Unë jam i vetëdijshëm që mes shumë shqiptarëve dominon një mënyrë daltonike pa ngjyra të të parit të botës bardhë e zi, pra e të analizuarit të problemeve në mënyrë dikotomike, ose je këtej ose je andej”.
Nëse vërtetë mbron qëndrimin e tillë, atëherë si do ta shpjegojë z. Nurellari faktin se në artikullin që mban emrin e tij thuhet se “Hashim Thaçi është personaliteti më i rëndësishëm politik në Kosovë i dy dekadave të fundit” ndërsa kundërshtarët e tij diskulaifikohen si njerëz të cilëve “nëse u hiqet agresivitetin dhe kritikat e shumta të bëra ndaj Thaçit, vështirë se iu ngelet ndonjë kontribut apo rol tjetër në jetën publike”. I mbetet z. Nurellari të sqarojë se kush qëndron prapa këtij përshkrimi bardh e zi!
Në përmbyllje të reagimit tim po i drejtohem z. Nurellari dhe të gjithë atyre që e konsiderojnë veten si “mendje të ndritura” se nuk do t’u shkojë shumë gjatë kungulli mbi “këtë ujë të turbullt e të ndotur të jetës politike në Kosovë, ku triumfojnë ata që janë më të shkathëtit për të njollosur më shumë kundërshtarin”. Që “politika jonë të futet në një stad të ri zhvillimor e të përqendrohet më shumë tek çështjet dhe idetë sesa te njerëzit” duhet, para së gjithash, të hidhen poshtë “modelet, shabllonet apo shembujt ilustrativ klasik të komunikimit të përbaltjes” të formës që përdoret në shkrimet që mbajnë emrin e Adri Nurellarit.