Aeroplanët 30-vjeçarë të GP Aviation fluturojnë mbi Kosovë

03 maj 2023 | 11:41

Ndonëse aeroplani mendohet të jetë transporti më i sigurt për udhëtime, kjo teori shpesh ka ditur t’iu dalë ndryshe kosovarëve të cilët jetojnë nëpër vendet evropiane.

Pasagjerëve kosovarë shpesh iu është rrezikuar jeta nga kompani ajrore të papërgjegjshme të cilat operojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

Rasti i fundit ishte më datë 29 të muajit prill, ku aeroplani i kompanisë ajrore GP Aviation i cili si destinacion kishte Munihun, pas disa problemeve teknike në aeroplan kishte bërë disa lëvizje të çuditshme mbi territorin e Shqipërisë për t’u kthyer përsëri në ANP “Adem Jashari” nga ku edhe ishte nisur, raporton Kiks Kosova.

Por ky nuk del të jetë problemi i vetëm teknik i kësaj kompanie.

Në korrik të vitit 2022, të njëjtës kompani ajrore e cila për destinacion kishte Shtutgartin e Gjermanisë, i ishte shfaqur një problem teknik me oksigjenin, e si pasojë e këtij problemi pasagjerët kishin filluar të kenë problem me frymëmarrje derisa ishin hapur edhe maskat e oksigjenit.

Megjithatë, kjo nuk është kompania e vetme ajrore e cila ka rrezikuar jetët e pasagjerëve që po fluturonin nga Kosova drejt vendeve evropiane.

Edhe kompania tjetër ALK Airlines kishte rrezikuar të paktën dy herë pasagjerët të cilët gjendeshin në aeroplan.

121 pasagjerët e fluturimit Prishtinë – Bazel panë tmerrin me sy në qershor të 2019 kur probleme të mëdha teknike u shfaqën në aeroplan dhe si pasojë aeroplani pësoi një humbje të madhe të lartësisë, me ç’rast pati edhe pasagjerë të lënduar.

Pak muaj më vonë po e njëjta kompani, pak para se të nisej nga Aeroporti i Shtutgartit, punëtorët e aeroportit vërejtën rrjedhje të kerozinës nga aeroplani, në kohen kur temperaturat ishin të larta dhe për pak sa nuk përfundoi me ndonjë tragjedi.

Edhe Trade Air dhe Orange2Fly janë përballur me probleme të tilla teknike e që shpesh janë rrezikuar edhe jetët e udhëtarëve.

E fajtore për krejt këto probleme dyshohet të jetë vjetërsia e aeroplanëve të cilët fluturojnë nga ANP “Adem Jashari.

KIKS Kosova ka hulumtuar për të gjetur vjetërsinë e aeroplanëve të GP Aviation dhe gjetjet janë mjaft shqetësuese për sigurinë e pasagjerëve.

Nga hulumtimet e Kiks-it del se kjo kompani ka vetëm dy aeroplanë të tipit Boeing 737-400, vjetërsia mesatare e të cilëve është 28 vite, ndërsa nëse marrim secilin aeroplan veç e veç, del se njëri është i vjetër 25 vite ndërsa tjetri 31 vite.

Sipas njohësve të fushës së aviacionit, aeroplanë të tillë tashmë nëpër vendet e zhvilluara janë larguar fare nga tregu dhe gjenden në varrezat e aeroplanëve, e arsyeje e largimit të tyre është teknologjia e tyre e vjetër.

Për dallim prej tyre, aeroplanët e rinj janë të pajisur me teknologji të re për të zvogëluar rrezikshmërinë dhe për të ofruar shërbime sa më cilësore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte do të zhvillohet ndeshja e parë e serisë së…