Aeroporti i Gjakovës, ende jashtë funksionit
Po bëhen shtatë vjet prej kur Qeveria e Kosovës kishte krijuar ndërmarrjen publike “Aeroporti i Gjakovës”, i cili ka mbetur jashtë funksionit edhe sot.
Aeroportin e Gjakovës e ndërtoi KFOR-i italian për qëllime ushtarake dhe i cili deri në vitin 2013 është përdorur në mbështetje të aktiviteteve ushtarake për aeroplanët e operacioneve të misionit të NATO-s, ndërsa transformimi te autoritetet e Kosovës ishte bërë në vitin 2013, pas një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Italisë dhe Qeverisë së Kosovës.
Sot përdoret për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes.
Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë për “KosovaPress” se problemet me funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës datojnë nga viti 2011, me vendimin për koncensionimin e Aeroportit “Adem Jashari”.
Ai ka thënë se kontrata për koncensionimin e Aeroportit “Adem Jashari” e ka pamundësuar hapjen në këtë fazë të Aeroportit të Gjakovës.
Gjini ka thënë se pista e këtij aeroporti është e njëjtë me Aeroportin e Prishtinës. “Ky aeroport i plotëson të gjitha kushtet për ngritje dhe aterrim”, ka thënë kryetari Gjini.
Megjithatë, nga partia në pushtet thonë se në plan të tyre kanë funksionalizimin e Aeroportin të Gjakovës.
Ushtruesja e detyrës e shefes së grupit parlamentar e LV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se tashmë e kanë një plan dinamik i cili mund ta kthejë një pjesë të funksionit dhe ta bëjë aeroportin si pikë reference për qytetarët e asaj zone jo vetëm për Kosovë, por edhe për Shqipëri.
Në një përgjigje me shkrim të Ministrisë së Mbrojtjes për “KosovaPress”, bëhet me dije FSK-ja e shfrytëzon hapësirën e Aeroportit të Gjakovës varësisht nga nevojat për aktivitetet stërvitore.