Aeroporti i Shkupit zgjeron rrjetin e fluturimeve, nga viti 2025 linja të rregullta për Shtuttgard, Barcelonë e Dubai
Zëvendësministrja e Ministrisë së Transportit e Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka bërë të ditur se është bërë një zgjerim i ndjeshëm i rrjeteve të fluturimit në Aeroportin e Shkupit dhe atë të Ohrit. Ajo ka paralajmëruar se nga viti 2025, këtyre aeroporteve do iu shtohen edhe linja tjera të rregullta në destinacione të ndryshme.
Njoftimi i plotë i Zëvendësministrës së Ministrisë së Transportit e Maqeonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli-Shaqiri:
Kam kënaqësinë të ndaj me ju një lajm shumë të rëndësishëm sa i përket fluturimeve të reja nga dy Aeroportet në Maqedoninë e Veriut, atë të Shkupit dhe Ohrit. Një zgjerim i ndjeshëm i rrjeteve të fluturimeve, të cilat do të ofrojnë gjashtë destinacione të reja dhe do t’i lidhin qytetarët e vendit tonë me qendra kryesore ndërkombëtare.
Nga data 30 mars 2025, dy herë në javë fluturim Shkup – Dubai – Shkup me kompaninë “FlyDubai”
Nga data 30 qershor 2025, dy herë në javë fluturim Shkup – Barcelonë – Shkup
Nga muaji qershor, 2025, tre herë në javë fluturim Shkup – Lyon – Shkup
Nga viti i ardhshëm, tre herë në javë fluturime Shkup – Stuttgart – Shkup
Nga ana tjetër, Aeroporti i Ohrit, një destinacion i rëndësishëm për turistët në Maqedoninë e Veriut, po zgjerohet me disa linja të reja.
Nga Ohri do të ketë fluturim dy herë në javë Ohër – Basel/Mulhouse – Ohër
Lajm tjetër i rëndësishëm është që kompania “Turkish Airlines” do të fillojë rregullisht me fluturime nga Aeroporti i Ohrit. Nga marsi i vitit 2025, me destinacion Ohër – Stamboll – Ohër.
Rritja e numrit të linjave ajrore dhe shtimi i fluturimeve të reja do të ndikojë padyshim në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë. Gjithashtu krijon mundësi të reja për të bashkëpunuar ndërkombëtarisht dhe në shkëmbim të kulturave. Fluturimet e reja do ta lehtësojnë udhëtimin e qytetarëve dhe vizitorëve. Kështu, Maqedonia e Veriut bëhet një pikë më e rëndësishme në hartën e transportit ajror.