Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës shënon ditën e ambientit me moton ‘Plastic Free Airport’
Dita Botërore e Mjedisit 2019 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” do të shënohet duke kontribuar në parandalimin e ndotjes nga përdorimi i plastikës.
Si hap të parë, ANP “Adem Jashari” ka marrë përsipër zëvendësimin e gotave të plastikës me gota porcelani të personalizuara për secilin punëtor me emrat e tyre.
“Është e rëndësishme të kemi sa më shumë njohuri rreth ndotjes nga përdorimi i plastikës, si një nga kërcënimet më të mëdha për mjedisin tonë. Për një aeroport pa produkte plastike, ne do të fillojmë duke eliminuar produktet plastike për një përdorim”, ka thënë me këtë rast drejtori gjeneral i ANP “Adem Jashari”, Haldun Firat Kokturk.
Iniciativa “Aeroport pa produkte plastike” mund të jetë lëvizje e madhe për mbrojtje të mjedisit dhe jetë të shëndetshme.
ANP “Adem Jashari” vazhdimisht është duke punuar edhe në zvogëlimin e nivelit të dyoksidit të karbonit si dhe në menaxhimin e trajtimit te ujit në mënyrë që të kontribuoj për një ambient të gjelbër dhe të pastër.
/Epoka e re/