
Afaristi Ahmetaj uron shqiptarët për 17 shkurtin, drejton edhe një mesazh për Kurtin
Kandidati për deputet i AAK-së, afaristi Ramush Ahmetaj, ka uruar 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë.
“Sot Kosova feston ditën e Pavarësisisë. Këtë ditë të bekuar që e solli Ushtria Çlirimtare e Kosovës e ndihmuar nga SHBA-të, shtetet e Evropës dhe NATO-s. 17 Shkurti-Dita e Pavarësisë, është dita më e çmuar në historinë e shumë vuajtur të Kosovës. Kjo ditë erdhi pas një rrugëtimi të vështirën të popullit tonë. Kosova ishte e pushtuar nga mbretëritë e shteteve sllave në Ballkan, dhe ishte e ndarë dhunshëm nga pjesa tjetër e Shqipërisë më 1913. Por sundimit sllav mbi 100 vjeçar i erdhi fundi edhe de jure Serbisë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës e mundi ushtrinë, policinë dhe administratën serbe duke e detyruar të largohet përjetësisht nga Kosova. Pas kësaj fitoreje të UÇK-së, SHBA-ve dhe NATO-së mbi forcat serbe, dhe dëbimit të tyre nga Kosova, Kuvendi i Kosovës, në një seancë solemne të organizuar më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Nga kjo ditë, Pavarësia e Kosovës u ndërtua ngadalë dhe me mund të madh”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Ai ka theksuar se 17 shkurti është ditë që na bënë krenarë për të kaluarën tonë, të sotmen dhe për të ardhmen e sigurt evropiane.
“Unë jam i vetëdijshëm për sakrificën e brezave deri te pavarësia e Kosovës. Për këtë qëllim sot, jemi një, me zemër të bashkuar, ashtu siç ishim, e do të jemi gjithmonë. Ju them stop me zemër e me shpirt, individëve, strukturave të caktuara, klaneve brenda qeverisë Kurti, dhe jashtë saj, të cilët po luajnë me statusin dhe pavarësinë e Kosovës, duke e krijuar një gjendje kaotike në vend, mos të luajnë me ndjenjën e popullit, sepse nesër është vonë”, ka shkruar Ahmetaj.
Ai ka shkruar tutje se në këtë ditë të shenjtë “për ne, sot jemi të zhgënjyer për mungesën e përgjegjësisë dhe llogaridhënies, kryeministri në detyrë Albin Kurti pas fitores në zgjedhjet e 9 shkurtit i quan hajvana opozitën, duke përdor edhe fjalë tjera fyese ndaj popullit të Kosovës. Në këtë ditë të bekuar për popullin tonë, jam i pakënaqur me degradimin e vazhdueshëm të shtetit, dhe të humbjes së kredibilitetit institucional, veprime këto që bënë dëme të pariparueshme në imazhin e shtetit të Kosovës. Lavdi të gjithë dëshmorëve që ranë për këtë ditë, respekt për invalid, veteran e për secilin që kontribuoi për të ardhur tek liria e Kosovës dhe 17 Shkurti Dita e Pavarësisë së Kosovës”.