Afaristi që punëtorët i vlerëson si anëtarë të familjes
Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” i ka bërë një prezantim biznesmenit, humanistit dhe atdhetarit ferizajas, pronarit të “Plus Center”, Sylejman Nezirit.
Aliu ka thënë se “Sylejman Neziri edhe pse në pension, ai edhe sot mban orarin e plotë të punës në biznesin e tij, një orë para se të arrijë stafi në punë, ai hap marketin, që të kontrolloj rregullsinë e produkteve, e punëtorët e tij i vlerëson si anëtarë të familjes, sukses e shembull ky që paraqet vlerë të shoqërisë ferizajase e më gjerë”.
Postimi i plotë i Aliut:
Sylejman Neziri, është emri i respektuar, biznesmeni i dalluar, humanisti i veçantë e atdhetari i dëshmuar, që në Ferizaj ngriti biznesin e tij, “Plus Center”, për të dhënë modelin e punës së një strehe për qindra punëtorë por edhe një qasje se në qendrën e tij, nuk tregtohet asnjë produkt serb.
I shkolluar për tregti në shkollimin e mesëm, Baca Syl, filloi punën më 1976 në ndërmarrjen “17 Nëntori” – Shtëpia e Mallrave deri më 1986, për të hapur më pas biznesin privat në emër të Kooperativës Bujqësore, biznes i cili i shkatërrohet, duke ia marr mallin, me të filluar lufta në Kosovë.
Delli i të bërit biznes, bëri që menjëherë pas luftës, në vitin 2000 të hap biznesin e tij si market me produkte ushqimore, me afro 30 punëtorë, më pas në vitin 2006 privatizoi Fabrikën e Veglave e në vitin 2007 hapi lokalin tek Vegëltorja, biznes pa produkte serbe, kurse më vonë zgjeroi hapësirën e tij biznesore duke arritur të krijoj Qendrën Tregtare “Plus Center” me mbi 5000 metër katrorë dhe me 130 punëtorë, me paga e kushte dinjitoze. Baca Syl, përveç veprimtarisë së tij biznesore, talentit e zgjuarsisë së tij për të bërë biznes, shquhet edhe për humanizmin, shpirtin e tij solidar, duke ndihmuar qindra nisma për nevojtarët e aksione të ndryshme sociale, duke qenë edhe pjesë e Klubit Rotarian në Ferizaj. Ai gjithashtu, mban në biznesin e tij, veçantinë e organizimit për të 5-tin vit me radhë, të “Panairit me produkte vendore” në hapësirat e biznesit të tij.
Edhe pse në pension, ai edhe sot mban orarin e plotë të punës në biznesin e tij, një orë para se të arrijë stafi në punë, ai hap marketin, që të kontrolloj rregullsinë e produkteve, e punëtorët e tij i vlerëson si anëtarë të familjes, sukses e shembull ky që paraqet vlerë të shoqërisë ferizajase e më gjerë.