Afati i fundit për deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë përfundon më 19 qershor
Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) u ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve të lartë publikë që deklarimin e pasurisë ta bëjnë deri më 19 qershor, në të kundërtën për të gjithë zyrtarët që nuk i përgjigjen obligimeve ligjore për deklarimin e pasurisë, AKK-ja, do të ndërmarrë veprime ligjore konform mandatit dhe ligjeve në fuqi
Në pajtim me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 02/38 të datës 31.05.2020, për lehtësimin e masave pas situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, Agjencia kundër Korrupsionit ka vazhduar afatin e deklarimit të pasurisë deri më 19 qershor.
AKK-ja ka njoftuar se procesi i deklarimit të pasurisë do të bëhet konform nenit 3 të ligjit nr. 04-L-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar, si dhe nenin 1 të ligjit nr. 04/L-228.
“Nga data 1 mars deri tani, nga gjithsej 4694 zyrtarë që kanë për obligim ligjor deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit, kërkesës për deklarimin e pasurisë i janë përgjigjur mbi 80 për qind e zyrtarëve të cilët kanë dorëzuar formularët e deklarimit të pasurisë në AKK”, ka njoftuar kjo agjenci.
Me këtë rast, Agjencia Kundër Korrupsionit u ka bërë thirrje të gjithë zyrtarëve të lartë publikë që deklarimin e pasurisë ta bëjnë deri më 19 qershor 2020, në të kundërtën për të gjithë zyrtarët që nuk i përgjigjen obligimeve ligjore për deklarimin e pasurisë, AKK-ja do të ndërmarrë veprime ligjore konform mandatit dhe ligjeve në fuqi.
Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, ka siguruar se AKK-ja do të jetë në shërbim të të gjitha subjekteve deklaruese për të ofruar të gjitha informatat e nevojshme për zyrtarët publikë në mënyrë që procesi i deklarimit të pasurisë të përfundoj me sukses, gjithnjë duke respektuar obligimet e përcaktuara me ligj.
Po ashtu Agjencia Kundër Korrupsionit, ka njoftuar të gjitha subjektet deklaruese së janë te obliguar që të bëjnë deklarimin e pasurisë me marrjen e detyrës dhe pas largimit/shkarkimit nga funksioni brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e marrjes së detyrës dhe pas largimit/shkarkimit, sipas ligjit në fuqi.
(M.Q / Epoka e re)