Afër 10% e kosovarëve besojnë se “të lexosh shumë bëhesh budalla”, 52.24% s’arrijnë t’i përmendin tre tituj librash
Sipas një hulumtimi të realizuar nga shtëpia botuese “Dukagjini” dhe një organizatë me emrin “ETEA”, për të matur nivelin e leximit te qytetarët, 9.4 për qind e kosovarëve të anketuar besojnë se fjalia “nëse lexon shumë bëhesh budalla” qëndron, derisa 52.24 për qind e respodentëve nuk kanë arritur të listojnë tre tituj librash që kanë lexuar gjatë jetës së tyre.
Këto rezultate janë publikuar këtë të diel, në Ditën Ndërkombëtare të Librit.
Të dhëna të tjera interesante janë se dy librat më të preferuar nga të anketuarit kanë dalur një roman-limonadë “Sikur të isha djalë” nga autori Haki Stërmilli dhe romani “It ends with us”, i një autore amerikane siç është Coolleen Hoover, e cila shumicën e librave të saj i ka vetë-publikuar meqë asnjë shtëi botuese serioze nuk ka pranuar t’ia botojë librat.
Sipas të dhënave nga po e njëjta anketë, 67.5 për qind e qytetarëve thonë se nuk kanë kohë të lirë për të lexuar.
Insistojnë se do të kishin lexuar më shumë nëse do të kishin më shumë kohë të lirë.
Në hulumtin e “Dukagjinit” dhe “ETEA”-s 31.29 për qind e qytetarëve nuk kanë qenë në gjendje të kujtojnë asnjë prej tre librave të fundit të lexuar.
Ky hulumtim është realizuar gjatë muajve shkurt dhe mars të këtij viti.
Për të gjetur nivelin e leximit dhe kulturës së të lexuarit në Republikën e Kosovës është përdorur metoda e kombinuar (metoda sasiore dhe metoda cilësore), thuhet në shpjegimin që ëdhë dhënë në komunikatën për media.
Shtëpia botuese “Dukagjini” dhe organizata ETEA, përmes anketave, fokus grupeve dhe intervistave, kanë nxjerrë të dhëna nga 14 komuna të Republikës së Kosovës (nga 2 në nivel rajonal) të zgjedhura mbi parimin e numrit të banorëve dhe të ardhurave ekonomike për komunë.
Komunat ku janë realizuar anketat janë: Prishtina, Obiliqi, Mitrovica, Skenderaj, Peja, Klina, Gjakova, Juniku, Prizreni, Mamusha, Gjilani, Kamenica, Ferizaj dhe Hani i Elezit.
Numri i respodentëve për komunë është bazuar në numrin total të banorëve sipas komunave, sipas përqindjes që përbëjnë totalin e banorëve në Republikën e Kosovës.
Nga respodentët e anketuar në terren, 56.4% kanë qenë gra, kurse 42.7% burra.
0.9 për qind kanë refuzuar të përgjigjen se cilës gjini i takojnë. Mosha e respodentëve është nga 10-65+ vjeç. Në terren janë anketuar gjithsej 1486 persona.
Publikuar nga Albanian Post