Afër 10 mijë shoferëve iu është marrë patenta gjatë vitit 2022
9 mijë e 416. Ky është numri i drejtuesve të automjeteve që u sanksionuan me marrje të patentë-shoferit gjatë vitit të kaluar.
Kështu bën të ditur policia, sipas këtyre të dhënave, disave u është ndaluar ngasja për tre muaj, disave për gjashtë e nëntë muaj.
Ndërkaq, në vetëm dy raste shoferëve iu është ndaluar ngasja deri në dy vjet.
Tutje, statistikat tregojnë se në dy vitet e fundit, 2021 dhe 2022, numri i tiketave të shqiptuara që janë paraparë pikë negative dhe ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik, janë në rritje.
Derisa policia e trafikut gjatë vitit 2021 ka shqiptuar 17 mijë e 832 tiketa me pikë negative, në vitin 2022 numri është rritur në 26 mijë e 912 tiketa.
Në vitin e kaluar, nga një pikë u është hequr 3 mijë e 598 shoferëve, ndërsa nga 2 pikë, u janë hequr 18 mijë e 972 shoferëve.
Kurse nga pesë pikë, që sipas ligjit për rregullat e trafikut rrugor janë maksimumi që shqiptohet përnjëherë, u janë hequr 127 shoferëve.
Kështu vërehet një aktivitet i shtuar i policisë në parandalimin e numrit të madh të aksidenteve që po ndodhin në Kosovë.