Afera e grurit e vajit: Ministrja Hajdari padit gazetën Nacionale, Buzhalën dhe zyrtarin e MINT

04 gusht 2023 | 10:33

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, sot ka dorëzuar padi ndaj gazetës Nacionale, e cila ka publikuar disa përgjime që tregojnë për keqpërdorimet që janë bërë me rezervat shtetërore.

Portali Paparaci ka siguruar fotografi ku shihet ministrja Hajdari në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke e dorëzuar personalisht padinë.

Pas publikimit të përgjimeve, ministrja Hajdari kishte paralajmëruar se gazetën Nacionale do ta padisë për shpifje.

Në lidhje me këtë çështje ka shkruar edhe ministrja Hajdari, e cila ka treguar se ka paditur Nacionalen, gazetarin Berat Buzhala dhe zyrtarin e MINT, Enver Hajrullahu.

“Sulmet e vazhdueshme shpifjet, fyerjet dhe të pavërtetat, nuk duhet të lejojmë të kthehen në diçka të zakonshme, sepse dëmi që i bëhet opinionit publik, shoqërisë tonë mund të jetë i jashtëzakonshëm.

Tentimet e dështuara për të cënuar integritetin dhe dinjitetin tim, përmes disa audio-incizimeve por edhe duke i dhënë vehtes të drejtën për të shpifur, duke shantazhuar dhe shpërndarë informacione të pavërteta, do të marrin epilog në organet e drejtësisë.

Prandaj, sot për këtë qëllim, kam dorëzuar padi në Gjykatën Themelore, në Prishtinë, kundër Gazetës Nacionale, gazetarit Berat Buzhala dhe zyrtarit të MINT, Enver Hajrullahu.” – shkroi ai.

Ndryshe, dy ditë më parë, Nacionale botoi edhe një audio-incizim, ku një zyrtar i MINT fliste për keqpërdorime në procesin e blerjës së grurit për rezerva shtetërore. Ndërsa ministria e Hajdarit, pra MINT, përmes një reagimi në Facebook, i kishte mohuar raportimet për keqpërdorimi ne rezervave shtetërore, duke i quajtur audio-incizimet e publikuara nga gazeta Nacionale si tendencioze dhe të pavërteta.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) sqaron opinionin publik se, thashethemet e përdorura në audio-incizimet e transmetuara janë tendencioze dhe të pavërteta, duke aluduar për keqpërdorim të Rezervës Shtetërore dhe duke i shërbyer një kauze politike me qëllim të dëmtimit të procesit më të ndjeshëm për mbrojtje dhe siguri shtetërore dhe më qëllim denigrimin e figurës së Ministres Rozeta Hajdari, uljen e reputacionit dhe imazhin publik të saj”, – thuhej në reagimin e MINT-it.

Kujtojmë se nga përgjimet e sotme të publikuara nga Nacionale, sipas bisedës, kuptohet se kishte dyshime që një sasi e grurit në sasi prej 9 ton grurë po mungonte. Kjo duket se kishte shkaktuar edhe përplasje ndërmjet disa zyrtarëve në Ministrinë e Rozeta Hajdarit.

“Unë i kam thanë nuk e paguaj për qetë punë për qetë punë, se tash ky shpediteri ky që e ka pas (nuk kuptohet) e ka pasur edhe shpedicionin, ai thojke e kam pru, shpediteri thojke mungojnë 9 tonë, këta thojshin mungojnë pak ma shumë, se aty në kontratë thuhet se duhet me i sjellë 10 mijë tonë me nen nuk duhet me humb asnjë pike rrugës”, dëgjohet teksa flet një zyrtar i Ministrisë së Tregtisë e Industrisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Al Ahli ka arritur marrëveshje me Barcelonën për transferimin e…