Afera e përgjimeve, Kusari-Radojiçiq, IKD: Duhet dorëheqje ose shkarkim

04 qershor 2024 | 22:10

E vënë në qendër të kritikave një vit më parë për biseda me kriminelin e veriut Milan Radoiçiq, shefja e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, nga dje po përballet me incizimet e reja.

Biseda pretendohet se është zhvilluar në qershor të vitit 2022. Në atë kohë, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Milan Radojçiq, ishte përfshirë në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe po kërkohej nga drejtësia kosovare, e me vonë e pranon se ka organizuar sulmin terroristë në Banjskë.

Kusari–Lila, gjatë ditës nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike të RTK-së, ndërsa kryeministri i vendit, Albin Kurti, në një deklarim para medieve, ka thënë se kjo situatë po dramatizohet dhe se Kusari-Lila nuk është anëtare e partisë së tij.

“Po e kuptoj që po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa sekonda prej një bisede që nuk e di se si e ku është marrë e si u pre e nga kush u organizua, por, edhe njëherë unë jam kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Mimoza Kusari-Lila nuk është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje; edhe po të ishte anëtare për këso gjëra ka komision disiplinor, sepse VV-ja s’e ka kryetarin diktator që merr ashtu vendime”, ka deklaruar Kurti.

Reagime të ashpra erdhën edhe nga opozita, e cila ka kërkuar llogari nga Kusari- Lila dhe Kurti.

Ndërsa nga shoqëria civile, Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se më e pakta që duhet të ndodhë është dorëheqja ose shkarkimi i Kusari-Lilës.

“Në një shtet normal me pritjet legjitime minimale do të duhej që e njejta të dorëhiqej, e nëse nuk dorëhiqet, atëherë së paku partia politike do të duhej ta shkarkonte nga kryesuesja e grupit parlamentar”, tha Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Për ish-kryeinspektorin e AKI-së, Burim Ramadanin, biseda e Kusari-Lilës me Radojiqiq ka cenuar sigurinë kombëtare.

“’Raportimi’ tek Radoiçiq është cenim i sigurisë kombëtare. Më 23 nëntor 2018, banesa e Radoiçiqit ishte bastisur për herë të parë nga Policia e Kosovës. Në ndërkohë, më 8 dhjetor 2021, Radojiçiq është sanksionuar në Listën e Zezë të SHBA-së . Por, gjatë qershorit 2022, pra gati 4 vjet pasi Radoiçiqit i ishte bastisur banesa dhe rreth 7 muaj pasi ishte futur në Listë të Zezë, shefja e Grupit Parlamentar të pushtetit në Kosovë dëgjohet me zë duke folur Radoiçiqin në telefon”, ka thënë Ramadani.

Në disa audio incizime të cilat pretendohet se janë bërë një vit më parë, dëgjohet shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza-Kusari Lila dhe ish-deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, duke komunikuar me Radojiçiqin, për disa ligje që duhej të miratoheshin në Kuvend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së…