Afërdita Fazlija flet para ndeshjeve kualifikuese

16 qershor 2019 | 12:25

Përfaqësuesja  e Kosovës në konkurrencën e femrave që nga 12 qershori është grumbulluar në kampin 5 ditor në Prishtinë, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet kualifikuese të Evropianit 2021.

Kosova bën pjesë në grupin A së bashku me Holandën, Rusinë, Slloveninë, Turqinë dhe Estoninë, derisa kualifikimet fillojnë më 25 gusht dhe kësaj radhe ato do të zhvillohen sikurse në konkurrencën e meshkujve, me sistem vajtje – ardhje, secila skuadër me secilën.

“Ky ka qenë grumbullimi i fundit para ndeshjeve kualifikuese. Gjatë këtij viti i kemi pasur katër ndeshje miqësore dhe këtë kamp pesë ditor. Duke qenë se lojtaret tashmë i kanë përfunduar angazhimet në ligat ku luajnë, ky kamp përveç aspektit sportiv na ka shërbyer edhe për disa çështje tjera siç është lista përfundimtare për ndeshjet kualifikuese. Në të njëjtën kohë e kemi shfrytëzuar këtë periudhë të grumbullimit për t’i përfunduar edhe disa çështje teknike me dokumentacionin e futbollisteve. Edhe pse grumbullimin e fundit e kemi pasur në prill ka qenë me interes që t’i shohim vajzat sepse forma e tyre lëviz shpejtë dhe ato luajnë në shtete të ndryshme. E kemi një ekip të mirë, por është evidente se na mungojnë ndeshjet. Sa i përket kampit në përgjithësi ka qenë mirë, ndonëse temperaturat kanë qenë shumë të larta”, ka thënë përzgjedhësja Afërditë Fazlija.

“Sidoqoftë, mendoj se ka qenë një atmosferë shumë e mirë dhe një grumbullim i qëlluar. Si shtab teknik ne do t’ua japim detyrat secilës lojtare që ato duhet t’i përmbushin për grumbullimin e radhës para ndeshjes zyrtare më 25 gusht”, ka shtuar Fazlija.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Konventën e nëntë të Partis Demokratike të Kosovës (PDK),…