Afganistan: Gazetarët rrëfejnë për rrahjet me kamxhik nga talibanët
Gazetarët në Afganistan kanë thënë se janë rrahur, ndaluar dhe fshikulluar nga talibanët kur përpiqeshin të mbulonin protestat.
Fotografitë që janë duke qarkulluar në internet, shfaqin dy gazetarë nga gazeta “Etilaatroz” me mavijosje pas arrestimit të tyre në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.
Njëri prej tyre, Taqi Daryabi, ka thënë për “BBC”-në se ishte dërguar në një stacion policie të rrethit ku është goditur shqelma dhe është rrahur keq.
Të mërkurën, ekipi i “BBC”-së ishte penguar të gjirojë në Kabul.
Daryabi, së bashku me fotografin e “Etilaatroz”, Nematullah Naqdi, kishte mbuluar një protestë të grave në Kabul të mërkurën.
Më pas, ata janë dërguar në një stacion policie, ku kanë thënë se janë rrahur me shkopinj, kabllo elektrike dhe kamxhik. Disa orë më vonë, ata janë lënë të lirë nga talibanët, pa asnjë shpjegim.
“Ata më çuan në një dhomë tjetër dhe më vunë prangat. Vendosa të mos mbrohem sepse mendova se do të më rrihnin edhe më keq, kështu që u shtriva në dysheme në një pozicion për të mbrojtur pjesën e përparme të trupit tim”.
“Tetë prej tyre erdhën dhe filluan të më rrahin … Duke përdorur shkopinj, çfarëdo që kishin në duar. Unë isha pa ndjenja pas kësaj kështu që ata ndaluan. Më çuan në një ndërtesë tjetër ku kishte qelitë dhe më lanë”, ka thënë Daryabi për “BBC”-në në Kabul.
Daryabi ka thënë se kishte rënë pa ndjenja pas rrahjes dhe se pas rreth dy orësh ai ishte liruar.
“Unë mezi mund të ecja, por ata po na thoshin të ecnim shpejt. Kisha dhimbje shumë të mëdha”, ka thënë ai.
Ndërsa Nematullah Naqdi, ka thënë se luftëtarët talibanë ishin përpjekur t’i merrnin aparatin e tij sapo kishte filluar të merrte fotografi të protestës.
“Një nga talibanët më vuri këmbën në kokë, më shtypi fytyrën kah betoni. Ata më goditën me kokë … Mendova se do të më vrisnin”, ka thënë Naqdi për agjencinë e lajmeve “AFP”.
Ai i kishte pyetur talebanët se pse po e rrihnin, por kishte marrë këtë përgjigje: “Ju jeni me fat që nuk iu prenë kokat”.
CPJ, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, ka thënë se të paktën 14 gazetarë ishin arrestuar dhe më pas ishin liruar gjatë dy ditëve të fundit.
“Talibanët po dëshmojnë shpejt se premtimet e mëparshme për të lejuar mediat e pavarura të Afganistanit të vazhdojnë të veprojnë lirshëm dhe të sigurt, janë të pavlera,” ka thënë Steven Butler, koordinator i programit të CPJ-së për Azinë.
“Ne i kërkojmë talibanëve të zbatojnë premtimet e mëparshme, të ndalojnë rrahjen dhe ndalimin e gazetarëve që bëjnë punën e tyre dhe t’i lejojnë mediat të punojnë lirshëm pa frikën e ndëshkimit”, është shprehur Butleri.