Afganistani dërgon 250 delegatë në takim me talibanët
Qeveria e Afganistanit ka thënë se do të dërgojë 250 delegatë për t’u takuar me zyrtarët talibanë, në negociatat që mbahen në Katar këtë javë.
Takimet janë planifikuar të ndodhin nga 19-21 prill dhe janë parë si pikë kthese në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare.
Pjesë e delegacionit pritet të jenë zyrtarë qeveritarë, ish-udhëheqës luftarakë, politikanë opozitarë, liderë fetarë, gra, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.
Megjithatë talibanët e kanë bërë të qartë se delegatët do të pranohen në bisedime nëse sigurojnë përmes dokumentacionit se do të marrin pjesë në negociata si persona privatë dhe jo si përfaqësues të Qeverisë së Kabulit.
Ky njëherësh do të jetë takimi i parë në mes të zyrtarëve qeveritarë dhe përfaqësuesve talibanë, prej kur kanë dështuar bisedimet për paqe, të mbajtura në Pakistan më 2015.
Bisedimet treditore në kryeqytetin e Katarit, Doha, kanë ardhur pas nxitjes që i kanë bërë Shtetet e Bashkuara procesit të paqes në këtë shtet.
Talibanët kanë refuzuar për një kohë të gjatë që të negociojnë zyrtarisht me Kabulin, pasi qeverinë e kanë cilësuar si “kukull” të Perëndimit./rel/