Aforizma për diplomatin dhe politikanin (IV)
Prof. Lisen Bashkurti
– Njeriu që ndërhyn midis dy vetëve dhe mbështet më të fortin ka prirje për pushtet, pra për politikan. Njeriu që ndërhyn midis dy vetëve dhe mbështet më të dobëtin ka prirje për bamirësi, pra për misionar. Njeriu që ndërhyn midis dy vetëve dhe tenton për të dobësuar të fortin dhe për të fuqizuar të dobëtin ka prirje për balancim, pra për diplomat.
– Diplomati është mjeshtër i negocimit, negociatori është mjeshtër i dialogut, dialoguesi është mjeshtër i bisedimeve, biseduesi është mjeshtër i oratorisë, oratori është mjeshtër i fjalës, fjala është mjeshtëria e diplomatit.
– Diplomati përdor tre mjete komunikimi: fjalën, emocionin dhe gjuhën trupore. Nga mënyra sesi këto tre mjete komunikimi artikulohen dhe kombinohen gjatë negociatave diplomatike varet në masë të konsiderueshme suksesi i diplomatit.
– Tre mjetet e komunikimit të diplomatit si fjala, emocioni dhe gjuha trupore varësisht nga situata mund të jenë në simetri, në asimetri ose në kundërshti ndërmjet tyre, me qëllim që t’i japin kundërshtarit mesazhe unike, diverse, kontradiktore ose konfuze.
– Mjeshtëria e përdorimit të simetrisë, asimetrisë dhe kundërshtisë ndërmjet fjalës, emocionit dhe gjuhës trupore është pjesë e taktikës së negocimit diplomatik, nga e cila varet shumë suksesi i negociatave diplomatike.
– Misioni i diplomatit është që të përafrojë sa më shumë në kohë dhe në realitet identitetin objektiv të kombit të vet me imazhin subjektiv të perceptimeve ndërkombëtare rreth tij.
– Përafrimi i identitetit objektiv kombëtar me perceptimet subjektive ndërkombëtare synon ngritjen e reputacionit ndërkombëtar të identitetit kombëtar.
– Diplomati është mjeshtri i marketingut ndërkombëtar të identitetit kombëtar, duke thënë më zë të lartë të vërtetat e ndritura dhe duke thënë me zë të ulët të vërtetat e hidhura.
– Diferencat midis të vërtetave të ndritura identitare dhe të vërtetave të hidhura përceptimore mbushen nga mjeshtëria e diplomatit, e cila lypet të mënjanojë njëkohësisht si bumerangun ashtu edhe propagandën, sepse bumerangu është vetëvrasje kombëtare, ndërsa propaganda është mashtrim ndërkombëtar. Të dyja prodhojnë reputacion të ulët ndërkombëtar.
– Diplomati ekziston dhe punon midis dy gjendjeve të kombit të vet: gjendjes identitetit kombëtar dhe gjendjes së imazhit ndërkombëtar. E ndërsa politikani merret kryesisht me gjendjen e identitetit kombëtar, diplomati merret kryesisht me gjendjen e imazhit ndërkombëtar.
– Politikani merret kryesisht me transformimin e realiteteve objektive kombëtare, diplomati merret kryesisht me perceptimet subjektive ndërkombëtare mbi këto realitete.
– Realitetet objektive kombëtare ndryshojnë më shpejtë, stereotipet subjektive të perceptimeve ndërkombëtare ndryshojnë më ngadalë. Diplomati tenton të lëvizë midis këtyre dy shpejtësive, duke synuar t’i afrojë ato sa më shumë.
– Diplomati dhe politikani janë pjesë e establishmentit të politikave publike, por me funksione të veçanta dhe në hapësira të ndryshme. Në mjaft raste diplomati përpiqet që të korrigjojë me mjete diplomatike dhe në mjediset ndërkombëtare dështimet e politikave në nivele kombëtare.
– Diplomati është profesioni i zbulimit të dobësisë brenda fuqive dhe i fuqisë brenda dobësive.
– Diplomati i mirë nuk dashurohet me vetveten dhe nuk urren kundërshtarin, përkundrazi ai qorton vetveten dhe vlerëson kundërshtarin.
– Për diplomatin e zot dashuria dhe urrejtja janë ndjenja të palexueshme dhe shpesh herë të konvertueshme me njëra-tjetrën.
– Midis dy palëve të kundërta në negociata, diplomati dyzohet me qëllim që të fshehë qëllimet e veta dhe të zbulojë qëllimet e kundërshtarit.
– Prapa çdo humbje diplomati lexon fitoren dhe prapa çdo fitoreje diplomati lexon humbjen, sepse ai e fshin kufirin midis fitores dhe humbjes për të shmangur pakënaqësitë e palëve dhe për t’i bërë ato të pranojnë rezultatin.
– Triumfi diplomatik është fitore pa të humbur, ndërsa dështimi i diplomatik është humbje pa të fituar.
– Me mjeshtërinë e kompromisit diplomati shpesh fiton urrejtjen e më të fuqishmit dhe admirimin e më të dobëtit. Me këtë identitet, diplomati bëhet simbiozë e shkrirjes midis urrejtjes dhe admirimit.
– Mjeshtëria diplomatike prodhon fitore pa të humbur bazuar në kompromis, ndërsa politika prodhon humbje pa të fituar bazuar në interesa.
– Politikani dhe diplomati ndryshojnë midis tyre në qasjen ndaj të vërtetave, sepse politikani më së shumti rrëfen të vërtetat për të përfituar prej tyre, ndërsa diplomati më së shumti rrëfen të vërtetat për t’i mbrojtur ato nga gënjeshtrat.
– Politikani dhe diplomati ndryshojnë midis tyre edhe në qasjen ndaj gënjeshtrave, sepse politikani më së shumti gënjen për të fshehur dështimet e tij, pra për interesa të pushtetit të vet, ndërsa diplomati më së shumti gënjen për të fshehur dobësitë e vendit të tij, pra për interesa të kombit të vet.
– Metaforikisht politikani është rrobaqepësi që qepë kostumin për të vënë në dukje bukuritë e politikës së vet, ndërsa diplomati është rrobaqepësi që qepë kostumin për të fshehur gungat e kombit të vet.
– Politikani i mirë thotë ‘jo’ edhe kur duhet thënë ‘po’, ndërsa diplomati i mirë thotë ‘po’ edhe kur duhet thënë ‘jo’.
– Për politikanin dera është bërë për t’u mbyllur, ndërsa për diplomatin dera është bërë për t’u hapur.
– Politikani edhe qimen e bën tra për hir të interesit, ndërsa diplomati edhe traun e bën qime për hir të kompromisit.
– Politika është hekur i skuqur që del nga zjarri, ndërsa diplomacia është uji i ftohtë që e kalit atë.
– Edhe kur palët politike kundërshtare ngrenë muret e armiqësisë dhe luftojnë, diplomatët shtrojnë lëndinat e miqësisë dhe i paqëtojnë.
– Dashuria e fshehur dhe simpatia e shtirur janë veçori të sjelljeve të preferuara të diplomatit.
– Buzëqeshja e përhershme e diplomatit është arti për të fshehur politikën e skërmitjes së dhëmbëve.
– Një komb i fuqishëm pa aftësi diplomatike është si elefanti në dyqanin e qelqurinave.
– Një diplomaci e aftë pa fuqi kombëtare është si njeriu me oreks të madh, por pa dhëmbë.
– Diplomati nuk është mjeshtër i përdorimit të fuqisë, por mjeshtër i mënjanimit të dobësisë.
– Në jo pak raste diplomacia është arti i të vërtetave të pathëna.
– Mbas shtrëngimit diplomatik të duarve bëj gjithnjë kujdes të kontrollosh numrin e gishtave.
– Nëse i beson një diplomati të zot zgjidhjen e problemeve të tua dije se nuk do të fitosh gjithçka, por ama të jesh i sigurt se nuk do të humbasësh çdo gjë.
– Në pikun e luftës diplomati parandien ëndrrën e paqes, ndërsa në pikun e paqes diplomati parandien makthin e luftës.
– Mënyra e ekzistencës së diplomacisë është negociata e përhershme. Kur negociata ndërpritet diplomacia vdes. Kur diplomacia vdes lufta ngjallet.
– Për diplomatin është më mirë të mos i fillojë negociatat sesa t’i fillojë dhe t’i ndërpresë ato, sepse ndërprerja e negociatave diplomatike rrënon besimin midis palëve, që është gjysma e suksesit të negociatave.
– Gjuha e shprehjes së diplomatit është shumëkuptimëshe, sepse diplomati i shkruan mendimet në dy anët e fletëve, me qëllim që secila palë në konflikt të gjejë vetveten. Mirëpo në jo pak raste palët në konflikt lexojnë atë faqe që i pëlqen dhe mënjanojnë atë tjetrën që nuk i pëlqen. E për këtë gabim të palëve në konflikt zakonisht fajësohen diplomatët.