Aforizma për politikanët që dëgjojnë (III)
Prof. Lisen Bashkurti
– Politikani ndryshon nga shtetari si pjesa me të tërën.
– Politikani e konsideron qytetarin si votues, ndërsa shtetari e konsideron votuesin si qytetar.
– Për politikanin dita më e rëndësishme është ajo e votimit, ndërsa për shtetarin dita më e rëndësishme nisë pas ditës së votimit.
– Politikani e ndan popullin në grupe elektorale, shtetari e bashkon elektoratin në unitet mbarë popullor.
– Politikani e ndan kohën në segmente mandatesh, shtetari i lidh segmentet e mandateve në shtrirje afatgjatë.
– Politikani e fragmenton territorin në parcela elektorale, shtetari e unifikon territorin mbi kohezion territorial.
– Politikani e ndan ekonominë në kategori shoqërore dhe grupe interesi, shtetari e zhvillon ekonominë mbi kohezion social ekonomik.
– Politikani mendon për kohën e vet, shtetari mendon për kohët që vijnë.
– Krizat janë dukuri universale dhe të përhershme, prandaj fuqia e liderëve politikë ka të bëjë me aftësinë e parashikimit, parandalimit dhe zgjidhjes paqësore të tyre.
– Vlera më e madhe e politikanit të kohës sonë është aftësia për bisedë, dialog dhe negociatë, sepse biseda, dialogu dhe negociatat dëshmojnë nivelin e qytetërimit të politikanëve, individëve, grupeve, komuniteteve dhe popujve, ndërkohë që arroganca dhe dhuna dëshmojnë nivelin e primitivizmit të tyre.
– Politika pa aftësi diplomatike është e ngurtë dhe konfrontuese. Diplomacia pa principe politike është e thyeshme dhe e paqëndrueshme.
– Diplomacia përpara se të jetë profesion është mision – mision i paqes në kohë lufte dhe mision i prosperitetit në kohë paqeje.
– Diplomati, juristi dhe politikani janë tre hallka të një procesi, sepse diplomati negocion, juristi drafton tekstin, politikani vendos. Asnjëri nuk bën pa tjetrin.
– Në politikë kompromisi është mekanizmi për zgjidhjen e krizave, ndërsa diplomacia është rruga për arritjen e kompromisit, por ndërsa kompromisi është i përkohshëm dhe për çështje të caktuara, diplomacia është e përhershme dhe universale.
– Politikani nuk çmohet vetëm nga volumi i dijeve që ka në kokën e tij, por parasegjithash nga aftësia për të përdorur dijet dhe përvojat e veta dhe të njerëzve rreth tij në kohën, vendin dhe mënyrën e duhur.
– Për politikanin mënyra më e vyer për të lartësuar veten dhe për të çmuar kohën e tij është leximi dhe dëgjimi, sepse nga leximi dhe dëgjimi politikani kurrë nuk humbet.
– Shpesh në politikën e ditës thuhet se gjithçka është para. Por për politikanin e mençur para e vërtetë është arsimimi i popullit të tij.
– Respektin për të ardhmen ndaj popullit dhe kombit të vet politikani e shpreh në investimin për mësuesit dhe profesorët.
– Nga të gjitha burimet pasurore që mund të ketë një vend, më i rëndësishëm është burimi njerëzor.
– Politika e mirë investon në arsim më shumë se kudo, sepse çdo investim material e monetar vlerësohet e ç’vlerësohet, vetëm investimi në arsim tek njerëzit mbetet kapital i përjetshëm.
– Shumëkush mendon se fuqia kombëtare varet nga territori, popullsia apo pasuritë, ndërkohë që koha ka provuar se elementi më i rëndësishëm i fuqisë kombëtare është arsimimi i popullsisë.
– Vende të pasura me popullsi të paarsimuar mbeten përherë të varfra, ndërkohë që vendet e varfra me popullsi të arsimuar herët a vonë bëhen të pasura.
– Popujt e vendet e vegjël kanë nevojë për liderë të mëdhenj që të kompensojnë atë që objektivisht u mungon.
– Popujt e vendet e vegjël nuk i rrezikon aq prania dhe monitorimi ndërkombëtarëve, por më shumë izolimi dhe harresa prej tyre.
– Politikat kombëtare pa parime demokratike janë të rrezikshme. Ndërsa parimet demokratike jashtë interesave kombëtare janë të padobishme.
– Sa më shumë që bota shkon drejt integrimeve dhe globalizmit aq më shumë lypet të forcohen identitetet kombëtare, sepse integrimet dhe globalizmi i ekspozojnë identitetet kombëtare përballë konkurrencës së pamëshirshme.
– Mbrojtja e kontrolli i territorit shtetëror është prioritet edhe në kushtet e integrimeve dhe globalizmit, sepse territori është e vetmja hapësirë ku popujt lindin dhe kristalizojnë identitetet e tyre kombëtare, politike, ekonomike dhe sociale.
– Cenimi i territorit shtetëror ose dalja jashtë kontrollit e tij përbën kërcënim shumë serioz për vetë identitetin kombëtar, politik, ekonomik e shoqëror të popullit.
– Shkëmbimet apo cenimet territoriale shtetërore janë lëkundje tektonike komplekse, fundi i të cilave është zor të parashikohet.