Afrika e Jugut bëhet me president të ri
Parlamenti i Afrikës së Jugut zgjodhi sot zyrtarisht Cyril Ramaphosan president të ri të vendit.
Kreu i Gjykatës së Lartë Mogoeng Mogoeng tha se zoti Ramaphosa mund të zgjidhej pa votim pasi ishte i vetmi kandidat i propozuar për këtë post.
Zgjedhja e zotit Ramaphosa erdhi disa orë pasi Jacob Zuma dha dorëheqjen “me efekt të menjëhershëm”. Prej disa ditësh udhëheqësit e Kongresit Kombëtar Afrikan, partisë në pushtet, i kërkuan zotit Zuma të largohej nga detyra që mbante prej 9 vitesh, pas akuzave për korrupsion.
Presidenti i ri Ramaphosa përballet me sfida të shumta, ndër të cilat rindërtimi i ekonomisë pas një stanjacioni të gjatë. Pas dorëheqjes së Zuma-s vlera e monedhës së Afrikës së Jugut, pësoi rritjen më të fortë në tre vjet kundrejt dollarit.
Zuma u përpoq të shtyjë dorëheqjen e tij deri në qershor, por udhëheqësit e Kongresit Kombëtar Afrikan kërcënuan se do të zhvillonin një votim mosbesimi ndaj tij sot, nëse nuk do të jepte dorëheqjen e menjëhershme.
Zuma akuzohej ndër të tjera se kishte lejuar familjen e fuqishme indiane Gupta të ndikonte në emërimet e kabinetit dhe se kishte përdorur rreth 20 milionë dollarë fonde publike në funksion të pronave të tij. (VoA)