
AFRIM ABAZI SHKËMB NË TOKËN E ATDHEUT
Ismet Sylejmani
(përvjetor,
19 Marsi 1982, data, muaji dhe viti,
atëherë kur Heroi i Kombit Afrim Abazi, mbylli sytë përgjithmonë!
Më poshtë e keni fjalimin e mbajtur në Sallën e Kuqe, në 34 vjetorin e rënies së Tij!)
Të nderuar pjesëtarë të familjes së heroit të kombit Afrim Abazi!
Të nderuar pjesëtar të familjeve të heronjve dhe dëshmorëve të kombit!
Të nderuar invalid, veteran, ish drejtues e pjesmarrës të pranverës së vitit 1981,ish-të burgosur politik, ushtarë e oficer të UÇK-së,TMK-së dhe FSK-së!
E nderuara vajza e heroit te popullit Bardhok Biba, Marie Biba!
I nderuar ish-Kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, djali i personazheve të famshme të Migjenit, “Zeneli” e “Luli i Vocërr”, shoku, miku e bashkëluftëtari i shumë figurave të mëdha të kombit që unë sot do t’i veçoja dy, i Gjeneral Fehmi Lladrovcit dhe i Udhëheqësit të popullit shqiptar, Ali Ahmeti, shoku e miku im Bedri Islami!
I nderuar përfaqësuesi më eminent i rinisë studentore në demonstratat e vitit 1981 dhe më vonë i burgosur dhe i dënuar me 15 vjet burg, ish-Kryeministër i Kosovës, aktualisht Rektor i Universitetit “Kadri Zeka”, shoku e miku im, Prof. dr. Bajram Kosumi!
I dashur dhe shumë i nderuar vëlla nga SHBA-ja, miku im i madh Xhevat Kraja!
Shumë të dashur nipat dhe shokët e heroit të kombit Afrim Abazi!
Të nderuar vëllezër Viqa, shokë e miq të mi të veçantë, Nazmi, Ilmi dhe Gani!
Faleminderit Nazmi Viqa, që na keni ardhur, për të na nderuar me pjesmarrjen tuaj, special nga Gjermania!
I nderuar Konsull i Kosovës në Frankfurt të Gjermanisë, z. Ajvaz Berisha!
I nderuar Kryetar i Bordit të RTK-së shoku e miku im Ismet Bexheti!
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore, kombëtare, politike, akademike, shkencore e kulturore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe diaspora!
I nderuar Kryetar i Komunës së Ferizajt z. Sfarqa!
Të nderuar nxënës e mësimdhënës të Shkollës së Mesme të Ulët “Afrim Abazi” në Ferizaj dhe të Shkollës së Mesme Teknike ku ka mësuar dikur heroi i kombit Afrim Abazi!
I dashur popull shqiptar që po na shikon drejtpërdrejt në RTK!
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj!
Sot Pallati i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve këtu në Prishtinë është dëshmitar i një ngjarje të madhe historike, sepse po e nderojmë me pietet të madh një figurë të madhe të luftës dhe të përpjekjeve të mëdha të popullit shqiptar për liri e pavarësi.
Sot këtu, në arenën më të lavdishme të kryeqendrës së Kosovës, ku nderohen me dinjitet kombëtar e shtetëror të gjitha ngjarjet e mëdha, figurat dhe personalitet më të shquara të kombit, nderojmë të pavdekshmin, djaloshin syzjarr, që e donte, mbi të gjitha, lirinë e atdheut, heroin e kombit Afrim Abazin!
Më 11 mars të vitit 1982, në orën 13:30, në Shkollën Teknike në Ferizaj, në orën e Edukatës fizike, është nxjerrë nga klasa, është arrestuar dhe i janë vënë prangat në duar, gjysmë ore para fillimit të demonstratave përkujtimore në nderim të ngjarjeve të vitit 1981.
Për tetë ditë me radhë, prej 11 deri më 19 mars, nëpër qelitë dhe kasaphanat e UDB-së, kreshniku me zemër shkëmbi, Heroi i Kombit, Afrim Abazi, torturohet dhe mbytet barbarisht dhe, si zakon që e kishin kriminelët pushtues dhe tradhtarët, e hedhin nga dritarja, nga kati i pestë i ndërtesës së Policisë në Ferizaj, e zyrtarisht deklarojnë se kishte bërë vetëvrasje.
Nuk ishte Afrim Abazi ai që e vriste vetveten!
Para Afrim Abazit, ishte mbytur në torturë, shqiptari flamur, heroi i kombit Fazli Graiqevci dhe heroi i kombit Shaban Shala i Llapit!
Në tortura çnjerëzore Afrimi po bëhej i treti shqiptar në Kosovë, që pas Luftës Dytë Botërore mbytej mizorisht nga kriminelët dhe udbashët gjakpirës!
Të afërmit dhe shokët e të njohurit të Afrim Abazit dëshmojnë se Afrimi e donte jetën e lirë e të barabartë për popullin e tij, e donte të njëjtë me botën e përparuar demokratike, kurse atdheun të lirë nga zgjedha pushtuese serbe.
Nëse zgjidhte në mes jetës dhe vdekjes, atëherë më shumë e dëshironte vdekjen e armiqve dhe tradhtarëve!
Imagjinojeni, të nderuar vëllezër dhe motra,me siguri të shqyer e të përgjakur nga torturat e udbashëve serbë e shqiptarë, gjakpirësit, për t’i fshehur gjurmët, e gjuajnë djaloshin dhe e përplasin si shkëmb në tokën e atdheut.
Ka fluturuar kreshniku dhe e ka ujitur me gjak tokën e të parëve brenda rrethojës së policisë pushtuese!
Kurrë, as atëherë e as përgjithmonë, jam thellë i bindur, nuk u është ndarë nga mendja xhelatëve, por i ka ndjekur e do t’i ndjekë ata dhe pjesëtarët e familjeve të tyre, gjithmonë skena makabre e mbytjes me torturë të Afrimit të dashuruar në luftën për liri e çlirim të Kosovës nga pushtuesja Serbi.
Afrim Abazi u vra në tortura, në vitin 1982, një vit pas vitit të madh e të lavdishëm të heroizmit masiv popullor të ngjarjeve të vitit 1981.
Mbytja në torturë e heroit të kombit Afrim Abazi, në qendër të qytetit të Ferizajt, aty afër hekurudhës ku një vit më parë ishte zhvilluar një nga demonstratat më të mëdha të Kosovës, vinte si një lajm i kobshëm dhe rritej dhembja kombëtare, sepse ende ishin të freskëta plagët nga vrasja e heronjve të kombit Jusufit, Kadriut e Bardhoshit në Shtutgard.
Rënia e këtij djali atëherë për rininë heroike të Kosovës ishte kushtrim e thirrje e tokës nënë që t’i dalim zot atdheut me çdo kusht e me çdo çmim.
Pra, që ta vazhdojmë luftën për liri e të mos e ndalim kurrë e për asnjë çast.
Afrim Abazi ishte sinjali i kobshëm për pushtuesit dhe tradhtarët.
Ishte lajmëtari më real e më i drejtpërdrejt, se uragani popullor i filluar një vit më parë mund të mos ishte i përmasave masive sikur ishte viti 1981, por nuk do të ndalej e do të vazhdonte sikur edhe kurrë nuk u ndal deri te fillimi i luftës frontale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, komandanti legjendar Adem Jashari dhe figurat e tjera të mëdha e të lavdishme, si gjeneral Fehmi Lladrovci, Rexhep Bislimi, Ismet Jashari-Kumanova, Agim Bajrami, Ahmet Kaçiku, Naim Beka-Sokoli e shumë e shumë heronj e dëshmorë të atdheut, ia nxorën hakun dhe, po sikur Afrim Abazi, edhe ata e derdhën gjakun për lirinë dhe çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese.
Kanë kaluar shumë vite e nuk është nderuar e përkujtuar publikisht ky hero kaq i madh i atdheut tonë, i cili, për tetë ditë burg e qëndresë titanike përballë udbashëve të zinj shqiptarë, që ishin me zemër shkau, bëri që të ngrihen me mijëra e të rreshtohen në frontin e luftës për jetë a vdekje kundër pushtuesve në Kosovë.
Në fund i falënderojmë vëllezërit Viqa dhe firmën e tyre, gjigantin AWR-ABBRUCH, për sponsorimin në tërësi të kësaj ngjarje të madhe dhe të papërsëritshme kombëtare, në nderim të heroit të kombit Afrim Abazi!
Lavdi Heroit të Kombit Afrim Abazi!
Lavdi të rënëve për liri!
Prishtinë, 19 mars 2016