Afro 1.000 zyrtarëve do t’iu verifikohet pasuria e deklaruar
Janë afër 5 mijë zyrtarë publikë të kategorive të ndryshme që Ligji i obligon për deklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
E disa muaj pas këtij deklarimi, ky institucion ka nisur një proces tjetër.
20% e këtyre zyrtarëve po i nënshtrohen verifikimit të plotë të pasurisë së deklaruar.
Shefi i divizionit për deklarim të pasurisë në AKK, Agron Behrami thotë se jo vetëm të zgjedhurit me short, por edhe rastet e dyshimta verifikohen nga ta, raporton televizioni publik.
E rezultatet e këtij procesi pritet të shihen tek në fund të këtij viti.
Për ata që deklarojnë rrejshëm pasurinë, Ligji parasheh edhe ndjekje penale.
Por, shoqëria civile nuk shprehet e kënaqur me rezultatet e këtij institucioni dhe verifikimin e pasurisë së zyrtarëve.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, thotë se zyrtarët publikë shpesh kanë deklarime kundërthënëse të pasurisë.
Demolli-Nimani tregon se platforma e lansuar nga kjo organizatë, për krahasimin e pasurisë së zyrtarëve publikë ndër vite, u shoqërua me kundërshtime nga disa politikanë.
Pasurinë sivjet nuk e deklaruan me kohë mbi 50 zyrtarë institucionalë.