Afro 2 mijë persona kanë aplikuar për të konvertuar patentë shoferët nga ilegalë në RKS

07 korrik 2024 | 13:36

Më 10 maj ka nisur procesi i konvertimit të patentë shoferëve të lëshuar nga strukturat jolegale të Serbisë në patentë shoferë të Republikës së Kosovës. Që nga ajo ditë deri dje një gjë të tillë e kanë bërë afër 2 mijë persona.

Ministria e Punëve të Brendshme më 8 maj njoftoi se pas dy ditësh do të nisë procesi i konvertimit të patentë shoferëve jolegalë në legalë.

“Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët se nga data 10 maj 2024 do të fillojë procesi i konvertimit të patentë shoferit të lëshuar nga strukturat jo legale serbe në patentë shoferi të Republikës së Kosovës dhe do të zgjasë deri me 9 gusht 2024”, thuhet në njoftimin e 8 majit.

Zëvendësdrejtori i Policisë për Veriun, Veton Elshani, ka thënë për Gazetën Express se deri më 3 korrik 1 mijë e 901 persona kanë aplikuar për të marrë patentë shoferët e Republikës së Kosovës.

Leposaviq: 474;

Mitrovicë e Veriut: 520;

Zubin Potok: 270;

Zveçan: 312.

Detaje rreth aplikimit për konvertim të patentë shoferëve

Procedura për pajisje me patentë shoder të Kosovës zgjatë 15 ditë. Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës.

MBP ka bërë të ditur se të gjithë qytetarët që posedojnë patentë shoferi të lëshuar nga strukturat jo legale serbe mund të aplikojnë për patentë shoferi zyrtar të Republikës së Kosovës përmes aplikimit formularit elektronik në ueb faqen  https://patentshoferonline.rks-gov.net/ apo edhe fizikisht në Qendrën për Pajisje me Dokumente në të gjitha komunat e Kosovës.

Në rast të paraqitjes fizike për aplikim në sportelet e Qendrave për Pajisje me Dokumente, qytetarët duhet të posedojnë këto dokumente:

Letërnjoftimin e Republikës së Kosovës,

Origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe,

Certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer,

Certifikata shëndetësore lëshohet nga institucionet shëndetësore të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, në tërë territorin e Republikës së Kosovës;

Çmimi për certifikatë shëndetësore varion nga kategoria e mjetit për të cilin posedon patentë shoferin dhe atë si në vijim: Për kategorinë B/BE çmimi i certifikatës shëndetësore është njëzetë euro (20.00€); Për kategorinë C dhe kategorinë D çmimi i certifikatës shëndetësore është pesëdhjetë euro (50.00€).

Dëshmi të pagesës së taksës vlera e së cilës është pesëmbëdhjetë euro (15.00€) dhe Origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zana Spahiu është emëruar ushtruese e detyrës së drejtorieshës së…